Këngëtari i njohur spanjoll Julio Iglesias është përfshirë në një hetim gjyqësor pas një padie të paraqitur nga dy ish-punonjëse të tij, të cilat e akuzojnë për abuzim seksual dhe keqtrajtim gjatë kohës që punonin në pronat e tij në Republikën Dominikane dhe Bahamas.
Gjykata Kombëtare e Spanjës ka pranuar shqyrtimin e padisë për vepra të dyshuara kundër lirisë seksuale, dëmtime fizike dhe trajtim degradues. Padia është ngritur nga një ish-punonjëse shtëpie dhe një fizioterapiste, të cilat pretendojnë se janë abuzuar dhe keqtrajtuar gjatë vitit 2021.
Gjykatësi Antonio Piña vlerësoi se dëshmitë e dy grave dhe provat e paraqitura janë të mjaftueshme për të nisur procedimin penal. Ky vendim nuk përbën konstatim të fajësisë dhe as konfirmim të vërtetësisë së akuzave.
Dy denoncueset janë thirrur të dëshmojnë më 3 shkurt 2027, ndërsa gjykata ka vendosur të mos përfshijë në hetim pretendimet që lidhen me trafikimin e qenieve njerëzore dhe shkeljen e të drejtave të punëtorëve.
Julio Iglesias, 83 vjeç, i ka mohuar më herët akuzat, duke i cilësuar ato si plotësisht të pavërteta.
Hetimi gjyqësor vijon për të sqaruar rrethanat dhe për të përcaktuar nëse pretendimet e dy ish-punonjëseve mbështeten nga provat.

