Vendosni fjalën kyçe....

“I riu s’u dhunua në Komisariat, në spital tha se u rrah në rrugë nga persona që s’i njeh” – Policia e Shtetit


Policia e Shtetit ka dalë me deklaratë zyrtare lidhur me rastin e të riut i cili denoncoi para Kuvendit se ishte dhunuar e kërcënuar në mjediset e Komisariatit 1 në Tiranë nga shefi i Komisariatit Erin Hasrama dhe Roki Pepa.

Sipas deklartatës, ai nuk është dhunuar në mjediset e Komisariatit 1 por ka deklaruar në spital se është dhunuar nga persona që nuk i njeh pranë hotel “Dajtit” pasditen e sotme.

“Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë

Në lidhje me pretendimet e shtetasit E. Gj. për ushtrim dhune ndaj tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe në zyrën e shefit të Komisariatit, sqarojmë opinionin publik se këto pretendime nuk janë të vërteta.

Shtetasi E. Gj. është shoqëruar mbrëmjen e datës 17.11.2026 në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe, në përfundim të veprimeve procedurale, është proceduar penalisht për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të policisë së rendit publik”.

Në momentin e largimit nga ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, shtetasi E. Gj. ka nënshkruar procesverbalin e veprimeve të kryera nga punonjësi i Policisë me personin e ndaluar përkohësisht, në të cilin ka deklaruar se nuk kishte pretendime në lidhje me veprimet e kryera nga punonjësit e Policisë.

Njëkohësisht, bëjmë me dije se shtetasi E. Gj. nuk është thirrur dhe as shoqëruar në asnjë moment në zyrën e shefit të Komisariatit të Policisë Nr. 1.

Gjithashtu, sqarojmë opinionin publik se, më datë 18.11.2026, rreth orës 15:05, ky shtetas është paraqitur në spital me dëmtime në pjesën e syrit të majtë. Në momentin kur është pyetur nga punonjësit e Policisë të planizuar me shërbim pranë spitalit, ai u ka bërë me dije se, më datë 17.11.2026, rreth orës 21:30, pranë ish-Hotel Dajtit, është ndaluar dhe dhunuar nga disa shtetas që nuk i njeh. Gjatë pyetjeve të bëra nga Patrulla e Përgjithshme ka qenë i pranishëm edhe një avokat. Sqarojmë gjithashtu se ky shtetas nuk ka pranuar të bëjë kallëzim. Për këtë rast është njoftuar edhe salla operative e DVP Tiranë.”