Presidenti amerikan, Donald Trump, ka vlerësuar marrëdhëniet me homologun e tij kinez, Xi Jinping, duke i cilësuar ato si “shumë të veçanta”, gjatë takimit dypalësh mes tyre.

Trump deklaroi se Kina ka një kërkesë të jashtëzakonshme për produkte, të cilën Shtetet e Bashkuara mund ta përmbushin, ndërsa kërkesa e tij e parë ndaj Pekinit ishte rritja e blerjeve të produkteve bujqësore amerikane.


“Do t’ju kërkoj të bëni diçka më shumë për fermerët tanë”, iu drejtua Trump liderit kinez.

Duke iu referuar bisedës dyorëshe që kishin zhvilluar një natë më parë, presidenti amerikan tha se kishin diskutuar një sërë çështjesh dhe u shpreh optimist se takimet do të sillnin rezultate konkrete.

Ai shtoi se të dy vendet po shqyrtojnë mundësitë për të kontribuar në zgjidhjen e luftës që përfshin Rusinë.

“Është nder të jem këtu me ty, miku im. Ne kemi një marrëdhënie shumë të veçantë”, deklaroi Trump.

“Besoj se për sa kohë që unë dhe ti jemi në krye, nuk do të kemi kurrë probleme”, shtoi ai.

Një tjetër temë e rëndësishme e diskutimeve ishte lufta në Iran, e nisur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli në fund të shkurtit.

Trump tha se Uashingtoni dhe Pekini ndajnë interesa të përbashkëta për garantimin e qarkullimit të energjisë përmes Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme për transportin botëror të naftës.

Sipas tij, të dyja vendet janë gjithashtu të vendosura që Irani të mos pajiset me armë bërthamore.

“Të dy e ndajmë fuqishëm të njëjtin qëndrim për këto dy çështje”, theksoi presidenti amerikan.

Takimi mes Trumpit dhe Xi Jinpingut zhvillohet në prag të një takimi të paralajmëruar trepalësh, ku pritet të marrë pjesë edhe presidenti rus, Vladimir Putin. Ky takim konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm diplomatik, në një periudhë tensionesh të larta ndërkombëtare. /Telegrafi/