Nga refuzimet e shtëpisë diskografike te 11 nominime për Grammy, historia e jashtëzakonshme e Raye-s

Raye po përjeton momentin më të madh të karrierës së saj. Këngëtarja britanike, 29 vjeçe, ka marrë 11 nominime për çmimet Grammy 2027, duke u renditur mes emrave më të vlerësuar të muzikës botërore.


Por, pas këtij suksesi fshihet një rrugëtim i vështirë, i shoqëruar me zhgënjime, refuzime dhe një betejë pesëvjeçare me shtëpinë e saj diskografike.

Ajo u pranua në shkollën prestigjioze BRIT në moshën 14-vjeçare, por u largua vetëm dy vite më vonë, pasi nuk ndihej më e përfshirë në atë ambient.

Në moshën 17-vjeçare nënshkroi një kontratë me katër albume me Polydor Records, duke shpresuar të ndërtonte karrierën e saj si artiste solo.

Megjithatë, për pesë vite albumi i saj debutues nuk u publikua.

Gjatë kësaj periudhe, Raye shkroi dhe kontribuoi në këngët e artistëve të tjerë, përfshirë Jax Jones dhe David Guetta, ndërsa projekti i saj personal mbetej i bllokuar.

Këngëtarja ka treguar se kjo situatë ndikoi rëndë në gjendjen e saj emocionale dhe se dëshira e vetme ishte të kishte kontroll mbi karrierën dhe muzikën e saj.

Në vitin 2021, ajo arriti të shkëputej nga Polydor dhe të vazhdonte në mënyrë të pavarur. Dy vite më vonë publikoi albumin e saj të parë, My 21st Century Blues, ku përfshihej edhe hiti Escapism.

Në vitin 2024, Raye bëri histori në BRIT Awards, duke fituar gjashtë çmime brenda një mbrëmjeje të vetme.

Së fundmi, albumi This Music May Contain Hope dhe kënga Where Is My Husband! e kanë çuar edhe më tej suksesin e saj.

Me 11 nominime për Grammy, përfshirë kategoritë kryesore, Raye ka një tjetër arsye për të festuar.

Ndërkohë, fansat e shohin si një nga kandidaturat më të përshtatshme për të interpretuar këngën e filmit të ardhshëm të James Bond, megjithëse deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar për këtë mundësi. /Telegrafi/