Lirohet nga burgu një nga tre të arrestuarit për atentatin e dyshuar në Lezhë
Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë për Vinçesk Pirolin, një prej tre personave të arrestuar në kuadër të operacionit policor “Detajet”, i zhvilluar në muajin tetor në Lezhë. Piroli është liruar nga qelia vetëm 38 ditë pas arrestimit dhe tashmë do të qëndrojë në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Ai u arrestua më 11 tetor, së bashku me Kristian Ymerin, 34 vjeç, dhe Elden Tarjan, 25 vjeç, pasi dyshohej se në bashkëpunim kishin planifikuar të kryenin një atentat në zonën e Lezhës.
Operacioni “Detajet” u finalizua pas informacioneve të siguruara nga policia për lëvizjen e personave të armatosur dhe të pajisur me skafandra, të cilët udhëtonin me motomjet në aksin e vjetër Pllanë-Lezhë.
Sipas hetimeve, dy prej të dyshuarve kishin rolin e ekzekutorëve, ndërsa personi i tretë dyshohej se do t’i ndihmonte për t’u larguar nga vendi i ngjarjes me automjet pas kryerjes së atentatit.
Policia deklaroi në atë kohë se ndërhyrja e saj kishte parandaluar realizimin e një vrasjeje të planifikuar.
Ndërkohë, me vendimin e fundit të Apelit, Piroli do të vijojë të jetë nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa hetimet për ngjarjen dhe rolin e personave të përfshirë vijojnë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




