E enjte, 19 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Shteti i së drejtës, Shqipëria zbret me 4 pozicione në renditjen botërore për vitin 2026
Lajme

Shteti i së drejtës, Shqipëria zbret me 4 pozicione në renditjen botërore për vitin 2026

Shqipëria ka humbur katër pozicione në Indeksin Botëror të Shtetit të së Drejtës për vitin 2026, duke u renditur në vendin e 91-të mes 143 vendeve dhe juridiksioneve të vlerësuara nga organizata ndërkombëtare World Justice Project. Sipas raportit, vendi ka marrë 0.48 pikë nga 1 i mundshëm, ndërsa rezultati ka pësuar një rënie prej 0.01 pikësh krahasuar me një vit më parë.

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria renditet përpara vetëm Serbisë, e cila mban vendin e 95-të. Ndërkohë, Mali i Zi pozicionohet i 57-ti, Kosova e 59-ta dhe Maqedonia e Veriut e 65-ta. Kjo e vendos Shqipërinë përkatësisht 34 vende pas Malit të Zi, 32 pas Kosovës dhe 26 pas Maqedonisë së Veriut.

Vlerësimet më të dobëta për Shqipërinë evidentohen në disa prej treguesve kryesorë të funksionimit të shtetit ligjor. Në luftën kundër korrupsionit vendi ka marrë 0.37 pikë, duke u renditur i 107-ti në botë. Po ashtu, në zbatimin e rregullave ka marrë 0.42 pikë dhe renditet në vendin e 114-të, ndërsa drejtësia civile vlerësohet me 0.44 pikë, në pozicionin e 105-të.

Indeksi analizon tetë fusha kryesore, mes tyre kufizimin e pushtetit qeveritar, mungesën e korrupsionit, transparencën e institucioneve, mbrojtjen e të drejtave themelore, rendin dhe sigurinë, zbatimin e ligjit, si dhe funksionimin e drejtësisë civile dhe penale.

Në nivel global, renditja kryesohet nga Danimarka, me 0.90 pikë, e ndjekur nga Norvegjia dhe Finlanda. Ndërsa në fund të klasifikimit ndodhen Venezuela, Afganistani dhe Haiti.

Raporti i vitit 2026 evidenton gjithashtu një përkeqësim të përgjithshëm të treguesve të shtetit të së drejtës. Në 62 për qind të vendeve të analizuara është regjistruar rënie, ndërsa vetëm 38 për qind kanë shënuar përmirësim. Për të nëntin vit radhazi, numri i vendeve me përkeqësim është më i lartë se ai i vendeve që kanë shënuar progres.

Një tjetër gjetje lidhet me kufizimin e lirive themelore. Liria e mendimit dhe e shprehjes ka pësuar përkeqësim në 64 për qind të vendeve, ndërsa liria e tubimit dhe organizimit në 67 për qind të tyre. Edhe pjesëmarrja qytetare ka shënuar rënie në 65 për qind të vendeve të vlerësuara.

 

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.