Mbi 11 mijë studentë shqiptarë studiojnë jashtë vendit, Shqipëria kryeson Ballkanin Perëndimor
Mijëra të rinj shqiptarë zgjedhin çdo vit të ndjekin studimet e larta jashtë vendit, ndërsa Shqipëria renditet e para në Ballkanin Perëndimor për numrin e studentëve që kanë zgjedhur universitetet e Bashkimit Europian.
Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2024, rreth 11 mijë e 400 studentë nga Shqipëria ndiqnin arsimin e lartë në 32 vende të ndryshme. Vetëm në shtetet e Bashkimit Europian ishin regjistruar 9 mijë e 968 studentë shqiptarë, rreth 28 për qind më shumë se Serbia, e cila renditet e dyta me 7 mijë e 761 studentë.
Pas tyre vijnë Bosnjë-Hercegovina me 6 mijë e 80 studentë, Maqedonia e Veriut me 2 mijë e 439, Kosova me 2 mijë e 20 dhe Mali i Zi me 748 studentë.
Italia mbetet destinacioni më i preferuar për të rinjtë shqiptarë, me 3 mijë e 561 studentë, e ndjekur nga Gjermania me 2 mijë e 965. Më pas renditen Greqia me 1 mijë e 235 studentë dhe Turqia me 1 mijë e 23.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se Gjermania po fiton gjithnjë e më shumë terren si destinacion arsimor. Që prej vitit 2021, numri i studentëve shqiptarë në këtë shtet është rritur me rreth 19 për qind, ndërsa në Itali rritja ka qenë 5 për qind.
Sa i përket cikleve të studimit, rreth 54 për qind e studentëve shqiptarë jashtë vendit ndjekin studimet Bachelor, 39 për qind Master dhe 6 për qind programe doktorature.
Një tjetër element që bie në sy është përfaqësimi më i lartë i vajzave. Ato përbëjnë 63 për qind të studentëve shqiptarë që studiojnë jashtë vendit. Diferenca është edhe më e theksuar në nivelin Master, ku gratë përbëjnë 67 për qind të të regjistruarve.
Ndërkohë, në Itali, që është destinacioni kryesor për studimet Master, vajzat përbëjnë 72 për qind të studentëve shqiptarë në këtë cikël.
Në raport me numrin e studentëve që ndjekin arsimin e lartë brenda vendit, ata që studiojnë jashtë përbëjnë rreth 9.4 për qind të totalit të studentëve të regjistruar në Shqipëri gjatë vitit 2024.
Shifrat tregojnë përmasat e lëvizshmërisë së të rinjve shqiptarë drejt universiteteve europiane dhe preferencën e tyre për të ndërtuar formimin akademik përtej kufijve të vendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



