Drogë në berberhane dhe armë të ftohta në servis, arrestohet 44-vjeçari në Kuçovë, procedohet vëllai i tij
Një 44-vjeçar është arrestuar në Kuçovë, ndërsa vëllai i tij 40-vjeçar është proceduar penalisht, pasi në dy subjektet që administronin janë gjetur lëndë narkotike dhe armë të ftohta.
Në kuadër të kontrolleve për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, arrestuan shtetasin L. T., 44 vjeç, dhe nisën procedimin në gjendje të lirë për vëllanë e tij, F. T., 40 vjeç.
Gjatë kontrollit në berberhanen dhe banesën e 44-vjeçarit u gjetën sasi dhe doza të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa, të cilat dyshohet se mbaheshin me qëllim shitjen, si dhe përforcues grushti.
Ndërkohë, në servisin e automjeteve në pronësi të vëllait të tij u sekuestruan dy mjete prerëse (thika).
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme.




