Protesta që vijon prej muajsh në Tiranë tregon se pakënaqësia qytetare nuk është zhdukur. Ajo është mbledhur rreth kërkesave për llogaridhënie, ndryshim politik dhe rregulla më të drejta zgjedhore. Por zemërimi, sado i madh, nuk mjafton për të sjellë ndryshim politik nëse nuk organizohen në Lëvizje politike.
Përvoja e Serbisë mund të japë ide për organizimin, por nuk mund të kopjohet mekanikisht. Çdo vend ka rrethanat dhe institucionet e veta. Ajo që mund të merret si mësim është rëndësia e pjesëmarrjes së gjerë, e organizimit të qëndrueshëm dhe e një programi që shpjegon qartë se çfarë duhet të vijë pas protestës.
Këtu qëndron sfida kryesore e lëvizjes në Shqipëri. Kërkesa për largimin e qeverisë është e qartë, por qytetarët duan të dinë edhe çfarë ndryshimesh konkrete propozohen. Si do të garantohet një proces zgjedhor i besueshëm? Çfarë reformash do të ndërmerren për të luftuar korrupsionin? Si do të përmirësohen shërbimet publike dhe mundësitë për të rinjtë?
Më saktë që të bëhen këto duhet të shkohet në kutinë e votimit, por duhet të jesh në fletën e votimit!
Nëse kjo lëvizje synon të kthehet në alternativë politike, duhet të tregojë se mund të bashkojë njerëz me bindje të ndryshme rreth vlerave dhe objektivave të përbashkëta. Duhet të dëgjojë qytetarët, të përzgjedhë përfaqësues me besueshmëri dhe të paraqesë një plan të realizueshëm.
Protesta mund të hapë një rrugë të re, por rezultati nuk është i garantuar. Ai varet nga aftësia për ta kthyer pakënaqësinë në organizim, idetë në program dhe kërkesat në ndryshim konkret.
Me 4 korrik të këtij viti Protesta e “flamingove” pati një shans ta kthente në parti politike kundra sistemit të vjetër. Por nuk e bëri! Tani ka edhe një mundësi tjetër me 28 nëntor ku është deklaruar një protestë masive kombëtare. Në këtë ditë duhet shpallur Programi politik i Protestës e ku natyrisht duhet të caktohet një Komitet apo Bord apo ta quajnë si të duan, por duhen emra konkretë.
Nuk ka më kohë nëse duan të provojnë mbështetjen popullore, pasi po vijnë zgjedhjet vendore me 9 maj 2027.
