Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka shpallur procedurat e lëvizjes paralele dhe të pranimit në shërbimin civil për nëntë pozicione vakante në kategorinë ekzekutive. Ministri Ferit Hoxha, informon se kanë ngelur edhe pesë ditë për këdo që do të aplikojë, brenda apo jashtë vendit.
“Nganjëherë, njoftime të tilla kalojnë pa marrë gjithë vëmendjen që meritojnë. Mos e humbisni këtë mundësi! Edhe dy ditë për të aplikuar për ata që janë tashmë pjesë e administratës publike. Për të provuar veten, aftësitë, dijet dhe ambicien tuaj. Për të konkurruar dhe për të fituar mundësinë që të bëheni pjesë e skuadrës sonë diplomatike”, u shpreh Hoxha.
Ministri ftoi të aplikojë kushdo që dëshiron të japë kontributin në një diplomaci që po ndryshon bashkë me Shqipërinë. “Një diplomaci që sot përfaqëson vendin tonë dhe nesër do të jetë pjesë e diplomacisë së Bashkimit Evropian. Na duhen të rinj e të reja të përgatitur, profesionistë, me integritet, kurajë dhe horizont evropian. Njerëz që dinë të përfaqësojnë Shqipërinë denjësisht, por edhe të krijojnë mundësi për të. Shqipëria ka nevojë për më të mirët e saj. Nëse besoni se jeni një prej tyre, aplikoni”, u shpreh ai.
