Nga Peter Lucas, BOSTON HERALD
Kjo është një histori për socializmin që po e tregoj përpara se të humbasë në kohë.
Sidomos tani, kur Shqipëria është sërish në qendër të vëmendjes së mediave, me protestues që kërcënojnë të rrëzojnë qeverinë socialiste të kryeministrit Edi Rama.
Ishte gushti i vitit 1986. Pas shumë këmbënguljeje, u bëra gazetari i parë amerikan që lejohej të hynte në Republikën Popullore të Shqipërisë, e izoluar nga bota, pas 35 vitesh. Fakti që prindërit e mi kishin lindur në Shqipëri më ndihmoi të siguroja këtë mundësi.
Përjetova një tronditje kulturore kur mbërrita në aeroportin e zbrazët të Tiranës. Pistën e tij e ruanin ushtarë të armatosur, pa pasur asgjë konkrete për të mbrojtur. Nuk kishte asnjë avion tjetër.
Ishte sikur të kisha zbritur në Korenë e Veriut. Përfaqësuesit e Partisë Komuniste, që më pritën, donin të më kthenin menjëherë në avionin për në Zyrih. E dija se amerikanët nuk i donin për shkak të Luftës së Vietnamit, por unë kisha një vizë të rregullt.
Pasi më morën në pyetje dhe më kontrolluan, më konfiskuan kopjen e librit të Larry McMurtry-t, ‘Lonesome Dove’, pasi në vend nuk lejohej të futej asnjë literaturë e huaj.
U largova nga aeroporti me ndjesinë e një njeriu të vetmuar, ashtu si titulli i librit: një pëllumb i vetmuar.
Por unë kisha mbërritur në Shqipëri dhe do të shkruaja për gjithçka që do të shihja për gazetën Boston Herald.
Enver Hoxha, diktatori komunist paranojak dhe i ashpër, i cili kishte marrë kontrollin e vendit në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe e kishte izoluar atë nga pjesa tjetër e botës për 44 vjet, kishte vdekur në prill të vitit 1985.
Prandaj, fakti që po më lejonin të hyja në vendin që Hoxha e kishte sunduar me dorë të hekurt mund të ishte një shenjë se Shqipëria do të hapej ndaj botës. Ose ndoshta jo.
Ajo që gjeta ishte një vend komunist/socialist, ku njerëzit jetonin në frikë.
Hoxha kishte vdekur, por portreti i tij ishte kudo. Po ashtu, kudo ndodheshin edhe njerëzit e frikshëm të Sigurimit, policisë sekrete shqiptare.
Pasardhësi i tij, Ramiz Alia, të cilin më vonë do të kisha rastin ta takoja, kishte marrë drejtimin e vendit. Megjithatë, Shqipëria vazhdonte të ishte një shtet policor dhe do të mbetej e tillë deri në përmbysjen e komunistëve në vitet 1990-1991.
Të gjithë spiunonin njëri-tjetrin.
Kudo kishte bunkerë ushtarakë prej betoni, të ndërtuar nga paranoja e Hoxhës, për të penguar një pushtim të mundshëm nga ndonjë shtet, pushtim që në të vërtetë nuk ndodhi kurrë.
Nuk kishte kisha dhe as makina. Feja ishte zhdukur me ligj dhe pronësia private e automjeteve ishte e ndaluar. Askush, përveç funksionarëve të Partisë, nuk kishte telefon. Shqiptarëve u ndalohej të largoheshin nga vendi. Nuk kishte liri.
Nuk kishte turistë, prandaj nuk kishte as kafene apo restorante. Shqiptarëve të zakonshëm u ndalohej të hynin në ato pak hotele shtetërore, ku mund të kishte muzikë dhe ndonjë bar koktejesh në katin nëntokësor.
Njerëzit ishin të shtypur dhe të rrënuar. Nuk kishin asgjë, por shumica nuk e dinin këtë, sepse, duke jetuar në një padije të kontrolluar, nuk kishin asnjë ide se si jetonin njerëzit në vendet e tjera evropiane. Propaganda komuniste/socialiste u thoshte se kurrë nuk kishin jetuar më mirë dhe ata ose e besonin këtë, ose bënin sikur e besonin.
Përpjekjet e mia për të biseduar me shqiptarët, me shqipen time mjaft të kufizuar — kisha mësuar vetëm disa fjalë — dhe me anglishten e tyre po ashtu të kufizuar, zakonisht nuk çonin askund. Personi që më shoqëronte dhe raportonte çdo ditë për mua ishte gjithmonë pranë meje. Njerëzit kishin frikë të flisnin kur ai ishte aty. Ishin të nënshtruar.
Gjithsesi, një mëngjes të nxehtë, kur shoqëruesi im nuk u paraqit, dola nga hoteli dhe u nisa në këmbë drejt Universitetit të Tiranës, me shpresën se ndoshta ndonjë student do të pranonte të fliste me mua.
U zhgënjeva, derisa takova tri studente, pak jashtë kampusit, të cilat po më vëzhgonin.
U afrova dhe i përshëndeta në shqip. Në vend që të largoheshin, njëra prej tyre më habiti duke më thënë në anglisht:
“Ti je amerikan”.
“Si e kuptove?” — e pyeta, i befasuar nga anglishtja e saj e qartë, nga vëzhgimi që kishte bërë dhe nga gatishmëria e saj për të folur me mua.
“Nga këpucët e mia, nga rrobat?” — e pyeta.
“Jo. Nga mënyra se si ecën. Ne të vëzhguam”.
“Nga mënyra se si eci?”
“Po. Ti ecën drejt, pa u shqetësuar, me kokën lart dhe duke parë përpara. Ne shqiptarët nuk ecim kështu. Ne ecim kështu”.
Ajo mblodhi shpatullat, uli kokën dhe vështroi tokën.
“Kështu ecim ne”.
Vazhduam të bisedonim edhe pak. Por ato ishin nervoze që po flisnin me një amerikan. Kam harruar shumë nga ato që më thanë. Megjithatë, ai koment i shkurtër për mënyrën se si ecja më mbeti në mendje për vite me radhë.
Ai më tregoi gjithçka që duhej të dija për socializmin.
© SYRI.net
Ekonomia shqiptare mbahet me taksa dhe rroga shteti, pa to Shqipëria e fundit në rajon
Shqipëria i hap rrugën mishit sintetik, ndërsa Italia e ndalon me ligj, qeveria të tërheqë projektligjin!
Buxheti/ Hasimja: Ne kemi një ekonomi e cila mbështetet tek paratë e tregtisë së drogës që vijnë nga jashtë