Në kuadër të samitit të APEC-ut, presidenti amerikan Donald Trump, presidenti kinez Xi Jinping dhe presidenti rus Vladimir Putin u ulën në një tryezë të përbashkët në Shenzhen të Kinës, duke zhvilluar një takim që zgjati rreth 90 minuta. Ky sesion shënoi herën e parë që tre liderët takohen në këtë format zyrtar trepalësh, një moment i rëndësishëm diplomatik për marrëdhëniet mes tri fuqive kryesore globale.
Pritshmëritë për këtë takim ishin të larta, por shoqëroheshin edhe me skepticizëm nga ana e vëzhguesve ndërkombëtarë. Disa shtete më të vogla shprehën shqetësimin se zëri i tyre mund të mbulohej nga marrëveshjet që mund të arriheshin mes fuqive të mëdha. Ndërkaq, disa analistë e vlerësuan takimin më tepër si një mundësi për një foto historike sesa si një hap konkret drejt marrëveshjeve të rëndësishme diplomatike.
Të lidhura
None found
Ndër temat kryesore që pritej të trajtohej ishte kontrolli i arsenalit bërthamor. Presidenti Trump kishte theksuar se ky takim mes tri fuqive më të mëdha bërthamore në botë krijonte një mundësi për të vendosur rregulla të reja për kufizimin e këtyre armëve. Në qendër të vëmendjes ishte traktati New START, marrëveshja e fundit për kontrollin e armëve bërthamore mes SHBA-së dhe Rusisë, e cila kishte skaduar në shkurt të vitit 2026.
Trump ka shprehur më herët dëshirën për një marrëveshje të re që do të përfshinte edhe Kinën. Megjithatë, Pekini ka lënë të kuptohet se vështirë se do të pranonte kufizime mbi arsenalin e tij bërthamor, i cili është më i vogël në krahasim me atë të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
Një tjetër çështje që mbeti e hapur ishte nëse lufta në Ukrainë do të bëhej pjesë e diskutimeve në tryezën trepalëshe. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kishin deklaruar se Trump nuk pritej ta ngrinte këtë çështje gjatë takimit trepalësh, por vetë presidenti amerikan kishte lënë të kuptohej se mund ta sillte temën në bisedimet me homologët e tij.
Takimi i mëparshëm mes Trump dhe Putinit ishte zhvilluar në Alaskë në vitin 2025, por ato bisedime nuk kishin arritur t’i jepnin fund luftës në Ukrainë. Ndërkaq, zhvillimet në Shenzhen po ndiqen me vëmendje të madhe ndërkombëtare, pasi çdo ndryshim në marrëdhëniet mes Uashingtonit, Pekinit dhe Moskës mund të sjellë pasoja të mëdha për sigurinë globale, balancat gjeopolitike dhe të ardhmen e kontrollit të armëve bërthamore.








