Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet për ndotjen e lumit Gjanica nga shkarkimi i ujërave teknologjike të patrajtuara të Uzinës së Përpunimit të Naftës në Fier.
Në përfundim të hetimeve, organi i akuzës ka dërguar për gjykim shoqërinë “A” SHA, si dhe drejtuesin teknik të uzinës, shtetasin me inicialet R.Sh.
Sipas Prokurorisë, nga hetimet e kryera, ka rezultuar se ujërat teknologjike të krijuara nga aktiviteti i uzinës, në zonën e Drizës, në Fier, grumbulloheshin në bllokun e pastrimit, ku duhej t’i nënshtroheshin trajtimit përpara shkarkimit në mjedis.
Megjithatë, ujërat e ndotura me lëndë hidrokarbure dyshohet se janë shkarkuar përmes një pike të paautorizuar në një përrua, i cili pas rreth 17 metrash derdhet në lumin Gjanica.
Sipas hetimeve, këto ujëra ishin krijuar gjatë funksionimit të uzinës dhe kishin mbetur në depozitat e bllokut të pastrimit edhe pas ndërprerjes së aktivitetit të saj.
Analizat laboratorike kanë konstatuar tejkalim të normave të lejuara. Në kampionin e marrë në dalje të vaskës, përmbajtja e produkteve të naftës ka rezultuar 13,8 mg/l, ndërkohë që kufiri i lejuar nga Leja e Mjedisit është 10 mg/l. Ujërat janë klasifikuar në Klasën V, që përfaqëson gjendje të keqe.
Nga hetimet, sipas Prokurorisë, ka rezultuar se drejtuesi teknik R.Sh. kishte dijeni për ekzistencën e pikës së shkarkimit dhe kishte detyrimin dhe mundësinë për ta mbyllur, kontrolluar ose pajisur me sistem trajtimi, por nuk kishte marrë masa për parandalimin e ndotjes.
Prokuroria pretendon gjithashtu se vepra është kryer në emër dhe në dobi të shoqërisë “A” SHA, e cila, përmes shkarkimit të ujërave të patrajtuara, shmangte kostot e trajtimit dhe transportimit të tyre.
Sipas organit të akuzës, kjo situatë është favorizuar edhe nga mungesa e kontrollit dhe mbikëqyrjes nga organet drejtuese të shoqërisë.













