Gjykata Themelore në Gjakovë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke caktuar masën e paraburgimit një muaj dy të pandehurve A.U. dhe L.I., shtetas të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Grabitja” ndërsa i pandehuri A.U., edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Në njoftim thuhet se sipas kërkesës së prokurorisë, ndër të tjera, ceket se të pandehurit A.U. dhe L.I., në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale të grabitjes, në dy raste të ndara dhe atë më 05.11.2026, rreth orës 17:15, në argjendarinë “Xhintoni”, në rr. “Nënë Tereza” në Gjakovë, të pandehurit, të maskuar dhe të armatosur, pasi kishin planifikuar grabitjen, kishin marrë me qira një veturë VW Passat në Deçan, së cilës i kishin vendosur targa të vjedhura. Pas vëzhgimit të lokalit, A.U., i armatosur me armë automatike, kishte kërcënuar me armë të dëmtuarin N. P. dhe nënën e tij, ndërsa L. I., me çekan, kishte thyer vitrinat dhe kishte marrë stoli ari në vlerë prej 27.000 euro dhe 1.600 euro nga pazari ditor, pas çka ishin larguar nga vendi i ngjarjes.


"Po ashtu, më 16.11.2026, rreth orës 16:56, në argjendarinë “Balt Simoni”, në rr. “Sylejman Hadum Aga” në Gjakovë, të pandehurit, duke vepruar në të njëjtën mënyrë, kishin marrë me qira një veturë VW Golf VII në Pejë, së cilës i kishin vendosur targa të vjedhura. Pas vëzhgimit të lokalit, A.U., me armë automatike, kishte kërcënuar të dëmtuarin M. S. dhe familjarët e tij, ndërsa L. I., me çekan, kishte thyer xhamat dhe kishte marrë stoli ari nga sirtarët. Gjatë grabitjes kishte ndërhyrë i dëmtuari Sh. V., ndaj të cilit A. U. kishte shtënë me armë zjarri, duke e plagosur në këmbën e djathtë. Më pas, të pandehurit ishin larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes".

Po ashtu në njoftim thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake, Samedin Cena, pas mbajtjes së seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.

"Me këtë vendim, të pandehurit A.U. dhe L.I., do të mbahen në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, periudhë kjo që do të llogaritet nga data e arrestimit me 17 nëntor 2026 deri më 17 dhjetor 2026. Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës", thuhet në njoftim. /Telegrafi/