Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi se buxheti 2027 nuk përmban një plan për realizimin e premtimit për pensionin 400 euro dhe i kërkoi qeverisë të shpjegojë sa përfitojnë realisht familjet nga masat fiskale.
Sipas saj, ulja e TVSH-së për një pjesë të ushqimeve duhet vlerësuar bashkë me barrën që sjell rritja e saj në 21% për produktet dhe shërbimet e tjera.
Një ditë pas miratimit të buxhetit në parim, Tabaku i ngriti këto shqetësime gjatë shqyrtimit nen për nen në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit, të cilin ajo drejton. Ajo kërkoi që diskutimi të përqendrohet te standardi i jetesës dhe mbështetja për shtresat në nevojë.
“Ku prezantohet minimumi jetik në këtë buxhet?”, pyeti Tabaku, duke kërkuar të sqarohet se çfarë ndryshimi konkret sjellin fondet e parashikuara për familjet shqiptare.
Për pensionet, deputetja kundërshtoi mbështetjen përmes bonuseve pa një reformë që, sipas saj, të garantojë rritje të qëndrueshme. Ajo deklaroi se premtimi për pensionin 400 euro nuk pasqyrohet në buxhet dhe e cilësoi rritjen e pensioneve përpara zgjedhjeve si “qokë elektorale”.
Një tjetër kërkesë lidhej me listën e 54 produkteve të shportës për të cilat parashikohet TVSH 6%. Tabaku kërkoi që produktet të bëhen të ditura, duke theksuar nevojën për transparencë mbi përfitimin e konsumatorëve.
Paralelisht, ajo kërkoi llogaritjen e ndikimit të TVSH-së 21% te pensionistët dhe familjet në nevojë.
“A keni llogaritur që kjo do të prodhojë edhe një rritje të çmimeve zinxhir?”, iu drejtua ajo përfaqësuesve të qeverisë.
Tabaku ngriti edhe çështjen e financimit të mbështetjes për prindërit me fëmijë me aftësi të kufizuara, përfshirë fëmijët në spektrin e autizmit. Duke iu referuar ligjit të ri për shërbimet sociale që, sipas saj, po përgatitet, ajo kërkoi të sqarohet nëse buxheti parashikon fondet për ndihmën monetare dhe kur familjet do të njihen me përfitimet konkrete.
Deputetja kërkoi përgjigje gjatë mbledhjes për efektin e përbashkët të masave fiskale: sa u mbetet familjeve nga lehtësimet, pasi llogaritet edhe barra e taksave të rritura.













