Projektligji i ri për donacionet dhe sponsorizimet ka marrë miratimin nen për nen dhe në tërësi në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet.

Gjatë votimit, projektligji mori 6 vota pro, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim.

Nismëtarë të ligjit janë deputeti Erjon Braçe, ministrat Blendi Gonxhe dhe Adea Pirdeni dhe kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili në mbledhjen e sotme kishte marrë me vete edhe një top futbolli në formë simbolike.

Nisma e re ligjore synon të ndryshojë mënyrën e financimit të sportit, artit dhe kulturës, duke krijuar lehtësi fiskale për bizneset që mbështesin këta sektorë përmes sponsorizimeve.

Sipas projektligjit, bizneset që paguajnë tatim mbi fitimin do të mund të zbresin drejtpërdrejt nga detyrimi tatimor shumën e sponsorizuar, deri në 30% të tatimit mbi fitimin të vitit paraardhës. Përmes këtij mekanizmi parashikohet që në sport, art dhe kulturë të kanalizohen deri në 2 miliardë lekë në vit.

Një tjetër risi është krijimi i regjistrit elektronik kombëtar të sponsorizimeve, me qëllim garantimin e transparencës dhe kontrollit mbi përdorimin e fondeve. Gjithashtu, të ardhurat e përfituara nga sponsorizimet parashikohen të jenë të patatueshme për subjektet përfituese.

Projektligji parashikon edhe përfshirjen e sponsorizimeve në natyrë, si dhe mekanizma dokumentimi dhe kontrolli për të shmangur abuzimet.

Pas miratimit në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, projektligji vijon procedurat parlamentare për shqyrtimin dhe miratimin përfundimtar.

Top Channel