Përfundon takimi historik mes Trump, Xi dhe Putin, bisedimet trepalëshe zgjatën rreth 90 minuta Ka përfunduar takimi i parë trepalësh mes tre liderëve Donald Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping, i zhvilluar në vilën Kylin në Shenzhen të Kinës.
Pas përfundimit të bisedimeve, autokolona amerikane është larguar nga rezidenca ku u zhvillua takimi. Sipas raportimeve të korrespondentëve që ndjekin delegacionin amerikan, Trump pritet të rikthehet në Shtetet e Bashkuara gjatë orëve të ardhshme.
Madje pas largimit nga vila Kylin, janë publikuar edhe pamjet e presidentit amerikan duke hipur në avionin presidencial Air Force One.
Edhe presidenti rus Vladimir Putin është larguar nga vendi i takimit. Mediat shtetërore ruse raportojnë se presidenti kinez Xi Jinping e ka shoqëruar personalisht Putinin deri te automjeti i tij përpara largimit.
Sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS, takimi mes tre liderëve zgjati rreth një orë e gjysmë. Pas përfundimit të bisedimeve, asnjëri prej tre presidentëve nuk bëri deklarata për mediat.
Takimi historik u zhvillua në kuadër të samitit të APEC-ut dhe në fokus të diskutimeve ishin çështje të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë çarmatimin bërthamor, luftën në Ukrainë dhe sigurinë globale.
Gjatë deklaratave hyrëse, të tre liderët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit mes fuqive të mëdha bërthamore dhe nevojën për dialog përballë sfidave ndërkombëtare.
Megjithatë, deri më tani nuk është bërë publik ndonjë komunikatë e përbashkët apo marrëveshje konkrete e arritur gjatë takimit.
Top Channel