Shembet një masiv shkëmbor, bllokohet rruga Qaf Buall-Martanesh
Rruga Qafë Buall-Krastë, që lidh Bulqizën me zonën e Martaneshit, është bllokuar këtë të enjte pas shembjes së një masivi të madh shkëmbor pranë vendit të njohur si “Ura e Luçanës”.
Si pasojë e rrëshqitjes së shkëmbinjve, qarkullimi në këtë aks është ndërprerë plotësisht, ndërsa disa automjete kanë mbetur të bllokuara në të dyja anët e zonës së shembjes.
Ky segment rrugor po i nënshtrohet një investimi me vlerë rreth 11 milionë euro, i cili përfshin stabilizimin e skarpatave përmes vendosjes së rrjetave dhe betonimit, ndërtimin e veprave të artit, si dhe shtrimin e rrugës me asfalt.
Ky investim vjen si vazhdim i një projekti të mëparshëm, që kishte në fokus zgjerimin e trasesë dhe parashikonte gjithashtu asfaltimin e rrugës.
Në total, vlera e dy tenderëve arrin në rreth 22 milionë euro për rehabilitimin e një aksi rrugor me gjatësi 16.5 kilometra.




