Të enjten, parlamenti i Danimarkës ratifikoi në mënyrë unanime një marrëveshje sigurie me presidentin amerikan Donald Trump, e cila përfshin Grenlandën. Kjo lëvizje synon t'i japë fund një përplasjeje lidhur me të ardhmen e ishullit në Arktik, situatë e cila kishte tensionuar marrëdhëniet transatlantike. SHBA-ja, Danimarka dhe Grenlanda e nënshkruan marrëveshjen në shtator për të zgjidhur tensionet, pasi Trumpi kishte kërcënuar në mënyrë të përsëritur se do të merrte nën kontroll ishullin e pasur me minerale, një territor danez me vetëqeverisje, ku jetojnë 57,000 banorë. Sipas të dhënave parlamentare, marrëveshja u mbështet nga 109 ligjvënës danezë, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër. Marrëveshja nuk kërkon miratim nga Senati amerikan. Pas votimit të së enjtes në Kopenhagen, ky pakt ekzekutiv do të hyjë në fuqi sapo Ministria e Jashtme daneze të njoftojë SHBA-në, përmes një note diplomatike, se procedurat kanë përfunduar. Marrëveshja zgjeron rolin e ushtrisë amerikane në Grenlandë, duke përfshirë lejen për vendosjen e një sistemi të mbrojtjes raketore të njohur si "Golden Dome" ndërsa riaffirmon sovranitetin danez dhe të drejtën e popullit të Grenlandës për vetëvendosje. Refuzimi i Trumpit për të përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake ose ekonomike për të marrë ishullin, shkaktoi një krizë diplomatike brenda NATO-s në janar, duke detyruar Danimarkën dhe Grenlandën të hynin në negociata intensive që zgjatën me muaj. Parlamenti i Grenlandës e ratifikoi marrëveshjen gjatë këtij muaji.