Më shumë se 100 milionë gaforre të kuqe në Ishullin e Krishtlindjes në Australi, kanë nisur migrimin e tyre të përvitshëm nga pylli drejt detit, bënë të ditur këtë javë ekspertët e ruajtjes së natyrës. Marshimi i gaforreve në këtë territor të largët në Oqeanin Indian nis me ardhjen e sezonit të shirave, kur këto krustace lëvizin drejt detit për t'u riprodhuar. Koha e migrimit të tyre epik, përmes pyjeve, rrugëve dhe urave, lidhet me ciklet hënore; gaforret synojnë të lëshojnë vezët "para agimit, gjatë tërheqjes së baticës, në fazën e çerekut të fundit të hënës", njoftoi agjencia "Parks Australia". Ky proces kërkon muaj të tërë përgatitjeje nga ana e ekspertëve në ishullin që ndodhet 350 kilometra në jug të Indonezisë dhe më shumë se një mijë kilometra larg kontinentit australian. "Njerëz nga e gjithë bota udhëtojnë për të parë këtë spektakël të jashtëzakonshëm të natyrës në Ishullin e Krishtlindjes," tha Chris Chartres, menaxher i Parkut Kombëtar të Ishullit.