Një tjetër gëzim i madh ka trokitur në familjen e Vedat Sulemanit dhe Roela Mekës. Ish-konkurrentët e “Për’puthen” janë bërë prindër për herë të tretë, këtë herë të një djali, të cilit i kanë vendosur emrin Adan.

Lajmin e ëmbël e ka ndarë vetë Vedati përmes një postimi në Instagram, ku nuk ka fshehur emocionet për ardhjen në jetë të vogëlushit. Për të, ky moment mbart një domethënie edhe më të veçantë, pasi bëhet fjalë për një dëshirë që e ka shoqëruar prej 18 vitesh.

“Pas 18 vitesh, ëndrrat e mia u bënë realitet. Mirë se erdhe në jetën time, biri im Adan”, ka shkruar ai, duke shoqëruar kështu një prej momenteve më të rëndësishme të jetës së tij.

Me ardhjen e Adanit, familja e çiftit bëhet edhe më e madhe. Vedati është gjithashtu baba i dy vajzave, njëra nga një marrëdhënie e mëparshme dhe tjetra, Siela, nga lidhja me Roelën.

Historia e Vedatit dhe Roelës nisi në emisionin “Për’puthen”, por njohja e tyre i tejkaloi kufijtë e ekranit, duke u kthyer në një marrëdhënie që vijoi edhe pas përfundimit të eksperiencës televizive.