Projektligji i ri për donacionet dhe sponsorizimet u miratua nen për nen dhe në tërësi në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet.
Të lidhura
None found
Në votim, projektligji siguroi 6 vota pro, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër dhe as abstenim.

Nismëtarë të kësaj nisme ligjore janë deputeti Erjon Braçe, ministrat Blendi Gonxhe e Adea Pirdeni, si dhe kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili në mbledhjen e sotme mori me vete një top futbolli në mënyrë simbolike.
Qëllimi i nismës së re është të transformojë mënyrën e financimit në sport, art dhe kulturë, duke u krijuar lehtësira fiskale bizneseve që i mbështesin këto fusha përmes sponsorizimeve.
Sipas projektligjit, kompanitë që paguajnë tatim mbi fitimin do të mund ta zbresin shumën e sponsorizuar drejtpërdrejt nga detyrimi tatimor, me një kufi deri në 30% të tatimit mbi fitimin të vitit paraardhës.
Ky mekanizëm parashikon që në sport, art dhe kulturë të kanalizohen deri në 2 miliardë lekë në vit.
Një tjetër element i ri është ngritja e regjistrit elektronik kombëtar të sponsorizimeve, i cili synon të sigurojë transparencë dhe kontroll mbi përdorimin e fondeve.
Po ashtu, të ardhurat që vijnë nga sponsorizimet parashikohen të jenë të patatueshme për subjektet përfituese.
Drafti përfshin gjithashtu sponsorizimet në natyrë, si dhe mekanizma dokumentimi dhe kontrolli për të parandaluar abuzimet.
Pas miratimit në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, projektligji vijon rrugën parlamentare për shqyrtim dhe miratim përfundimtar.








