Ndotja e Gjanicës nga Uzina e Përpunimit të Naftës, drejtuesi teknik përfundon në gjyq
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasin R.Sh. dhe shoqërinë ‘A’ si person juridik për veprën penale ‘Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës’.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.1484, të vitit 2023, nga provat e marra gjatë hetimeve paraprake rezultoi se ujërat teknologjike të Uzinës së Përpunimit të Naftës Fier, në Drizë, Qendër-Fier, grumbulloheshin në bllokun e pastrimit të uzinës, ku sipas Lejes së Mjedisit duhej të trajtoheshin dhe të shkarkoheshin vetëm në pikën e autorizuar dhe brenda vlerave kufi.
Nëpërmjet kësaj pike, ujërat teknologjike të ndotura me lëndë hidrokarbure janë derdhur në një përrua që, pas rreth 17 metrash, përfundon në lumin Gjanica. Këto ujëra ishin gjeneruar gjatë punës së uzinës dhe kishin mbetur në depozitat e bllokut të pastrimit edhe pas ndalimit të saj.
Në kampionin e marrë në dalje të vaskës, produktet e naftës kanë rezultuar 13,8 mg/l, mbi kufirin prej 10 mg/l të lejuar nga Leja e Mjedisit, ndërsa ujërat janë klasifikuar në Klasën V – “Gjendje e keqe”.
Nga hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridksionit të Përgjithshëm, Fier rezultoi se drejtuesi teknik i uzinës, R.Sh., ndonëse e njihte ekzistencën e kësaj pike shkarkimi dhe kishte detyrimin dhe mundësinë ta mbyllte, ta kontrollonte ose ta pajiste me trajtim, nuk ka marrë asnjë masë. Vepra është kryer në emër dhe në dobi të shoqërisë “A” SHA, e cila, duke shkarkuar ujërat e patrajtuara, kursente kostot e trajtimit dhe të transportit të tyre, si pasojë e mungesës së kontrollit dhe të mbikëqyrjes nga organet e saj drejtuese.
Këto rrethana janë provuar me aktet e inspektimit të Agjencisë Rajonale të Mjedisit, me këqyrjen e vendit të ngjarjes, me analizat laboratorike, me deklarimet e personave që kanë dijeni dhe me aktin e ekspertimit teknik-mjedisor.
Prokuroria njofton se, në bashkëveprim me Agjencinë Rajonale të Mjedisit dhe me Policinë e Shtetit, do të vijojë hetimin me përparësi të çdo rasti të shkarkimit të lëndëve ndotëse në lumin Gjanica dhe ndjekjen penale të personave fizikë dhe juridikë përgjegjës.




