Ndonëse Shqipëria kishte rritjen më të lartë në rajon në vitin 2025, nëse do të hiqej kontributi i taksave neto dhe administratës publike, renditja përmbytet tërësisht dhe vendi kalon nga i pari tek i fundit.
Shqipëria ishte ekonomia me rritjen më të lartë në rajon, në 2025-n, me 3.66%, e ndjekur nga Kosova me 3.62%, Maqedonia e Veriut me 3.5% dhe Mali i Zi me 3.3%. Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia shënuan zgjerim më të ulët se 3%, me përkatësisht 2.4 dhe 2%, sipas të dhënave zyrtare të instituteve statistikore përkatëse.
Nëse shohim faktorët që kanë ndikuar në këtë rritje, rezultati është krejt tjetër.
“Në Shqipëri, ndikimin kryesor e dhanë taksat dhe subvencionet neto, së bashku me sektorin e administratës publike, me përkatësisht 1.15 dhe 1.65 pikë përqindje, të nxitura kryesisht nga rritja e pagave në administratën publike.
Nëse heqim këto dy aktivitete, rritja e sektorëve privatë të ekonomisë, sipas të dhënave të përpunuara nga INSTAT, ishte vetëm 0.85%, duke zbritur automatikisht në më të ulëtën në rajon”, thotë Ornela Liperi, kryeredaktore e revistës ekonomike “Monitor”.
“Kur një pjesë e madhe e rritjes së PBB-së vjen nga administrata publike dhe taksat neto, ecuria e ekonomisë është më e ekspozuar ndaj rreziqeve në afatmesëm, pasi mbështetet më shumë te politika fiskale dhe konsumi sesa te zgjerimi i prodhimit, investimeve dhe produktivitetit.
Nëse këta faktorë zbehen, ndërsa sektorët privatë dhe prodhues nuk përshpejtohen, ritmi i rritjes mund të dobësohet ndjeshëm”, tha ajo.
Liperi i publikoi këto të dhëna gjatë prezantimit në konferencën “E ardhmja e ekonomisë”, të organizuara nga “Revista Monitor” në bashkëpunim me “Shoqatën e Manifakturës”.
Konferenca vjen pas dy publikimeve të “Monitor” për 200 kompanitë më të mëdha në vend për të ardhurat dhe fitimet, një traditë prej gati dy dekadash dhe për herë të parë të renditjes së 50-100 kompanive më të mëdha në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëri, Kosovë, Serbi, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, Bosnjë Hercegovinë për vitin 2025.
“Monitor në këto dy dekada që e publikon renditjen e kompanive më të mëdha në vend ka qenë dëshmitare e zhvillimeve kryesore të ekonomisë, hyrjes dhe daljes së sipërmarrjeve të mëdha, tendencës së investimeve të huaja, rritjes dhe rënies ciklike apo dhe jo ciklike të shumë sektorëve, lulëzimit dhe rënies së koncesionarëve, apo shtrembërimeve të konkurrencës”, tha Liperi.
“Monitor ka qenë dëshmitare e zhvillimit të paqëndrueshëm që po merr ekonomia vitet e fundit, me orientimin e kapitalit në ndërtim dhe rënien e sektorit të industrisë, që ka qenë historikisht një prej punësuesve më të mëdhenj në vend”.
Të dhënat e prezantuara në konferencë tregojnë se Shqipëria është shteti i vetëm në Europë, ku pesha e ndërtimit në ekonomi është më e madhe se ajo e industrisë.
Në vendet e tjera të rajonit pesha e sektorit është dukshëm më e ulët: Kosova 7.8%, Maqedonia e Veriut 6.6%, Bosnjë-Hercegovina 4.8%, Serbia 4.6% dhe Mali i Zi 3.8%, ndërsa mesatarja europiane është rreth 5%.
Në 2025-n, rritja e vlerës së shtuar në ekonomi (vlera e re e krijuar nga aktivitetet ekonomike, e shpërndarë kryesisht në paga dhe fitime) erdhi nga ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme, të ndjekura nga administrata publike, e cila e nxiti ekonominë përmes rritjes së pagave. Zhvillimi më pozitiv ishte rritja e vlerës së shtuar në akomodim dhe shërbim ushqimor, si rrjedhojë e zhvillimit të turizmit.
Por, industria, punëdhënësi i tretë më i madh në vend, pas tregtisë dhe industrisë, me rreth 120 mijë të punësuar po kalon në krizë të thellë.
Sektori ka hyrë në një cikël rënës, ndërsa industria përpunuese ka qenë në tkurrje për nëntë tremujorë radhazi, që nga fundi i vitit 2023, periudha më e gjatë e rënies së këtij sektori pas viteve ’90.
“Struktura e kompanive më të mëdha sipas të ardhurave është një tjetër tregues i këtij modeli. Në krye të ekonomisë shqiptare dominojnë kompani tregtare, distributorë, tregtarë karburantesh, energjie dhe kompani ndërtimi”, tha Liperi. Ndonëse kompanitë kanë një qarkullim të lartë, ato nuk krijojnë vende pune.
Në vitin 2025, 200 kompanitë më të mëdha në vend realizuan rreth 1.47 trilionë lekë të ardhura, ose rreth 15 miliardë euro. Gati 70% e kësaj xhiro erdhi nga tregtia dhe ndërtimi.
Por qarkullimi i lartë nuk përkthehet automatikisht në vlerë të shtuar apo punësim. Rreth 40% e kompanive më të mëdha kanë shpenzime personeli më pak se 5% të të ardhurave. Në shumë raste bëhet fjalë për kompani tregtare dhe shpërndarjeje, që qarkullojnë volume të mëdha mallrash, por kanë nevojë për relativisht pak punonjës.
Kryeredaktorja e Monitor solli për krahasim renditjen e 10 kompanive më të mëdha në Maqedoninë e Veriut.
10 kompanitë më të mëdha në Maqedoninë e Veriut, pa përfshirë bankat, realizuan vitin e kaluar të ardhura totale prej 5.2 miliardë euro, ose 31.3% të PBB-së së vendit në vitin 2025.
Këto kompani kishin së bashku rreth 20 mijë të punësuar, 42% e të cilëve janë nga 3 sipërmarrjet e shërbimeve të industrisë automotive, që operojnë në zonat teknologjike industriale të zhvillimit, “Johnson Matthey”, “Kromberg & Schubert – Macedonia”, “VDL Bus – Macedonia”.
“Disa vite më parë ne bënim artkuj “”Shqipëria i kërkon me qiri, investitorët ikin në Maqedoni” dhe sot këto sipërmarrje, që dikur shfaqen dhe interesin për Shipërinë, por zgjodhën në finale Maqedoninë e Veriut, janë bërë punëdhënësit dhe kontribuesit më të mëdhenj në shtetin fqinjë”.
Në të kundërt, në Shqipëri, që ka një ekonomi 60% më të madhe se ajo e M.Veriut (PBB është 27 mld euro përkundrejt 16.5% të M.Veriut) 10 kompanitë më të mëdha (pa përfshirë bankat) realizuan një qarkullim vjetor prej gati 4 miliardë eurosh, ose rreth 14.5% të PBB-së. Këto shoqëri kishin rreth 13 mijë të punësuar, por rreth 60% e tyre i përkasin dy kompanive shtetërore të shpërndarjes dhe prodhimit të energjisë elektrike. /Monitor














