Leclerc për takimin me Hamilton: E zgjidhëm çështjen brenda 5 minutash, por nuk jemi gjithmonë dakord

19 Nëntor 2026
12:24
Telesport
back button

Eventi në Las Vegas, ku zhvillohet gara e radhës në Formula 1, shërbeu për të zbuluar detaje nga takimi mes Charles Leclerc, Lewis Hamilton dhe shefit të skuadrës Ferrari, Frédéric Vasseur. Piloti nga Monako foli duke ndarë detaje rreth takimit mes tij, shokut të skuadrës dhe shefit të tyre.

Takimi e arriti shpejt qëllimin e tij, të paktën sipas asaj që deklaroi Leclerc gjatë konferencës për shtyp. “Diskutimi shkoi shumë mirë. Brenda një kohe shumë të shkurtër, mjaftuan vetëm pak fjali, tensioni u shpërnda dhe gjithçka përfundoi për mirë”, deklaroi Leclerc.

“E gjithë situata u ekzagjerua, por unë jam mësuar me këtë, duke qenë pjesë e Ferrari që nga viti 2019. Sigurisht, qëllimi ynë nuk është gjithmonë të shkojmë për mrekulli me njëri-tjetrin. Në fakt, e dimë se kjo nuk do të ndodhë kurrë. Mund të kemi mendime të ndryshme, siç ndodhi në Meksikë”, tha monegasku.

Më tej, Leclerc tha: “Por, thjesht fakti që folëm për këtë gjë, e lehtësoi gjithë tensionin dhe, për ne rezultoi në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk është se na u desh të flisnim për një orë. U morëm vesh mirë dhe përfunduam duke diskutuar edhe për shumë gjëra të tjera”.

“Diskutuam për ta bashkuar ekipin dhe për ta ndihmuar atë të ecë përpara. Por diskutimi lidhur me tensionin në pistë zgjati ndoshta pesë ose dhjetë minuta. Pas kësaj, situata u qetësua. Për momentin, si unë ashtu edhe Hamilton po punojmë për të siguruar vendin e dytë për konstruktorë”, tha Leclerc.

“Edhe pse kemi një avantazh të rehatshëm ndaj rivalëve kjo nuk do të thotë se duhet t’i nënvlerësojmë ata. Përkundrazi, duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku si ekip. Ajo që ka vërtet rëndësi për mua është përpjekja për të fituar të paktën edhe një garë tjetër para përfundimit të sezonit”, tha Leclerc.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit