Bota

Gjermania ul taksat e energjisë, vendos çmim tavan për karburantin: E mbajtëm fjalën!

Partitë e koalicionit qeverisës në Gjermani arritën marrëveshje për uljen e taksës së energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët. Vendimi parashikon gjithashtu që duke nisur nga 1 janari 2027, të vendoset një kufi maksimal për çmimet e karburanteve.

Ulja e taksës së energjisë do të zbatohet fillimisht për një periudhë njëvjeçare, me synimin që të vazhdojë edhe më tej. Qeveria gjermane thotë se synon ta reduktojë taksën në nivelin minimal të lejuar nga Bashkimi Europian.

Kjo masë pritet të lehtësojë shpenzimet e familjeve, bizneseve të vogla dhe ndërmarrjeve me konsum të lartë energjie. Kancelari Friedrich Merz e cilësoi marrëveshjen si përmbushje të një premtimi të koalicionit.

“Ne premtuam uljen e taksës mbi energjinë elektrike dhe e mbajtëm fjalën. Këtë lehtësim do ta ndiejnë veçanërisht familjet dhe bizneset e vogla. Po ua kthejmë qytetarëve kursimet e realizuara nga buxheti federal”, tha Merz.

Megjithatë, ulja e taksës do të kushtojë rreth 5,4 miliardë euro në vit, dhe për momentin financimi i kësaj mase pas vitit 2027 mbetet i pasigurt. Edhe pse të Gjelbrit e kritikuan karakterin e përkohshëm të lehtësimit, ujdia u përshëndet nga CDU/CSU, dhe ekspertët ekonomikë gjithashtu e konsideruan një hap pozitiv për rimëkëmbjen e ekonomisë.

Qeveria federale pritet të miratojë projektligjin përkatës më 2 dhjetor. Rregullat do t’u japin autoriteteve rajonale mundësinë të përcaktojnë kufij çmimesh sipas kushteve lokale. Ndërkohë, për çështje të tjera, si reforma e pensioneve dhe ndryshimet në sistemin tatimor, koalicioni nuk arriti marrëveshje. Diskutimet për këto tema do të vazhdojnë në ditët në vijim.

 

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.