Debate dhe akuza janë ngritur sot në Komisionin për Çështjet Europiane dhe Politikën e Jashtme lidhur me shtyrjen e samitit të NATO-s që pritej të mbahej në vendin tonë vitin e ardhshëm.

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, kërkoi sqarime për arsyet e shtyrjes, duke ngritur akuza edhe për lidhje të mundshme të kreut të SHISH me grupet kriminale.

“Ne duhet të plotësojmë detyrimet tona si anëtar, anëtarësimi në NATO një nga sukseset më të rëndësishme në kombin shqiptar. Samiti është anuluar edhe se kreu i SHISH del i lidhur me grupet kriminale, s’përjashtohet lidhja me argjinaturat, t’i japim kësaj çështje një seancë të veçantë, kryeministri të vijë të japë llogari në komision, ose të bëjmë mbledhje të përbashkët komisioni i jashtëm me të sigurisë, përpara se buxheti të kalojë në seancë plenare. Kryeministri duhet të vijë të japë llogari, shpjegime, dhe mos të bëjë atë që bëri në Kuvend, që iku kur prezantohej buxheti i paraqitur nga qeveria”, tha Shehu.

Gjatë debatit në një moment Shehu iu referua kryeministrit me termin “komunist”, duke shkaktuar të qeshura në sallë.

“Duhet të vijë komunisti”, tha Shehu.

“Nuk gabova shumë, në tërësi isha i saktë si sistem si regjim, shkon te e vërteta fjala gjithmonë”, shtoi ai.

Ndërkohë kryetari i komisionit Igli Hasani në fjalën e tij u shpreh se samiti i ardhshëm i NATO-s do të mbahet në Tiranë dhe se në këtë organizim do të ketë edhe angazhim parlamentar.

“Në samitin e radhës të NATO-së që do të zhvillohet në Tiranë, ka një angazhim parlamentar, dhe jam i bindur që ky komision do të jetë i ftuar në këtë angazhim”, tha Hasani.

Ai solli në vëmendje edhe historinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me NATO-n, duke krahasuar periudha të ndryshme qeverisjeje. Sipas Hasanit, rreth 30 vite më parë, qeveria e Partisë Demokratike solli trupat e NATO-s në Shqipëri për vendosjen e rendit dhe stabilitetit, ndërsa sot qeveria socialiste do të organizojë samitin e radhës në vend.

“Po të shohim pas në histori, qeverisja aktuale socialiste do organizojë samitin e radhës në Shqipëri, po mbushën gati 30 vjet, qeveria e PD solli trupat e NATO-s për të vendosur rend dhe stabilitet në Shqipëri. Të gjithë e kuptojnë kontekstin e situatës, dhe mund ta bëjnë lehtë krahasimin se ku ishim e ku po shkojmë”, tha Hasani.

“Dështoi të organizonit Samitin e NATO-s, për ato që ka bërë qeveria juaj, në atë NATO që u anëtarësua Shqipëria nga Sali Berisha”, shtoi Shehu.

Në vazhdën e diskutimeve Hasani theksoi se samiti i NATO-s do të zhvillohet si samiti i komunitetit politik Evropian apo ministeriali i OSBE

“Samiti i radhës do zhvillohet në Tiranë, ashtu si samiti i komunitetit politik evropian, ministeriali i OSBE, ashtu si qeveritë socialiste të periudhës’ 97-2005 bënë maksimumin që Shqipërinë e rrënuar nga kriza politike e 97 ta bënin një kandidate të denjë për tu anëtarësuar në NATO fryte të cilat i korri një qeveri që bëri ca gjëra më të tmerrshme ca muaj për anëtarësimi”, tha Hasani.

Lajm ne perditesim...