Remitencat janë një nga burimet kryesore në Kosovë, për mirëqenien e qytetarëve. Mirëpo, diaspora nuk duhet të vlerësohet vetëm për këtë gjë, pasi, është potencial më i madh, në zhvillimin e vendit.

Kështu ka vlerësuar Deli Balidemaj, politikani shqiptar në Gjermani.


Në një bisedë për Telegrafin, ai tha se për ta forcuar ndikimin e diasporës në vend, Qeveria e Kosovës duhet ta ketë një plan më specific, sidomos në lehtësim të investimeve, të mërgimtarëve në vendlindje.

“Diaspora nuk duhet të shihet vetëm si burim i remitancave. Ajo përfaqëson një kapital të jashtëzakonshëm njerëzor, profesional dhe ekonomik, i cili mund të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin afatgjatë të Kosovës, e për këtë duhet një plan koncept nga Qeveria e Kosovës se cilët sektorë janë të rëndësisë së veçantë për investime dhe gjithashtu të ofrohen lehtësime për investime” theksoi ai.

Po ashtu, Balidemaj theksoi edhe tri pika, se si duhet forcuar më shumë raportet mes Kosovës dhe shqiptarëve që jetojnë në Gjermani.

“Së pari, Kosova duhet të investojë më shumë në diplomaci aktive dhe në ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme me përfaqësuesit politikë gjermanë, jo vetëm në nivel federal në Berlin, por edhe në nivel të lëndeve dhe komunave. Gjermania është një shtet federal, ku landet kanë kompetenca dhe ndikim të rëndësishëm në shumë fusha. Pikërisht këtu shoh mundësi të mëdha për bashkëpunim, veçanërisht me Bavarinë.

Së dyti, duhet të krijohen më shumë partneritete konkrete në ekonomi, arsim profesional, shkencë, teknologji dhe investime.

Së treti, institucionet e Kosovës duhet të kenë një bashkëpunim më sistematik me diasporën shqiptare. Në Gjermani jetojnë shumë shqiptarë që janë aktivë në politikë, ekonomi, administratë, universitete dhe institucione të ndryshme. Ky potencial duhet të njihet dhe të shfrytëzohet më mirë. Shpesh krijohet përshtypja se diaspora kujtohet kryesisht gjatë zgjedhjeve ose kur flitet për remitancat. Kjo qasje duhet të ndryshojë. Diaspora duhet të jetë një partner i përhershëm i institucioneve të Kosovës, jo vetëm një mbështetëse financiare apo elektorale” ka përfunduar Balidemaj./Telegrafi/