Ulet sërish çmimi i naftës dhe benzinës, Bordi i Transparencës publikon tarifat e reja
Bordi i Transparencës ka vendosur uljen e çmimeve të karburanteve në vend. Nga sot (19 nëntor,) nafta do të tregtohet me jo më shumë se 201 lekë për litër, nga 204 lekë që ishte përcaktuar në vendimin e një dite më parë. Edhe benzina pëson ulje, duke zbritur në 160 lekë për litër, nga 163 lekë. Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e sotme çmimi i shitjes me pakicë i gazoilit të standardit SSH EN 590 nuk duhet të jetë më shumë se 201 lekë/litër, ndërsa në shitjen me shumicë tavani është përcaktuar në 189 lekë/litër.
Për benzinën, çmimi maksimal me pakicë do të jetë 160 lekë/litër, ndërsa me shumicë 148 lekë/litër. Ndërkohë, çmimi i gazit për automjetet do të jetë 71 lekë/litër në shitjen me pakicë dhe 59 lekë/litër në shitjen me shumicë. Një çmim i veçantë është përcaktuar edhe për sektorin e peshkimit, ku gazoili do të tregtohet me 105 lekë/litër.
Bordi bën me dije se çmimet e reja do të hyjnë në fuqi këtë të mërkurë, më 19 nëntor, në orën 14:00 dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme, kur do të rishikohen në varësi të ndryshimeve të çmimeve të shitjes. Në njoftimin zyrtar, Bordi i Transparencës u ka tërhequr vëmendjen operatorëve të shitjes me shumicë dhe pakicë për detyrimin e zbatimit të vendimit, duke paralajmëruar masa ndaj shkelësve.
“Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se vetëm një ditë më parë, Bordi kishte përcaktuar çmimin maksimal të naftës në 204 lekë/litër dhe atë të benzinës në 163 lekë/litër. Vendimi i ri sjell një ulje prej 3 lekësh për litër për të dy karburantet.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



