Problemet ligjore të Manchester Cityt lidhur me shkeljet e pretenduara të rregullave financiare të Ligës Premier po ndikojnë edhe në planet ekonomike të klubit, pasi një marrëveshje gjigante investimi prej dy miliardë dollarësh ka dështuar.

Sipas raportimit të Financial Times, kompania amerikane e investimeve Apollo Global Management ishte në fazat përfundimtare të negociatave për t’i dhënë një hua prej dy miliardë dollarësh City Football Group (CFG), grupit që zotëron Manchester Cityn që nga viti 2008.


Megjithatë, personat e afërt me negociatat kanë bërë të ditur se kompania amerikane është tërhequr nga marrëveshja pas vendimit të komisionit të pavarur, i cili e gjeti Manchester Cityn fajtor për shkelje të rregullave financiare të Ligës Premier.

Vendimi i publikuar në shtator përfshinte 114 akuza për periudhën 2009-2018, ndërsa klubi anglez ka apeluar menjëherë vendimin.

Paketa prej dy miliardë dollarësh ishte paraparë t’i siguronte City Football Group likuiditet shtesë dhe të ndihmonte në rifinancimin e kredive ekzistuese. Dështimi i negociatave përbën një goditje për planet e ristrukturimit financiar të grupit, në një kohë kur çështja ligjore vazhdon të mbetet e pazgjidhur.

Ky zhvillim vjen vetëm një muaj pasi pronari i Manchester Cityt, Sheikh Mansour, injektoi drejtpërdrejt 115 milionë euro, në City Football Group, duke forcuar bilancin financiar të kompanisë.

Megjithatë, tërheqja e Apollo Global Management nga marrëveshja e planifikuar tregon se pasojat e çështjes ligjore mund të shtrihen edhe përtej fushës së futbollit, duke ndikuar në marrëdhëniet financiare dhe planet e investimeve të pronarëve të klubit./Telegrafi/