Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi gjatë një konference për mediat në selinë e PD-së se pagat e ulëta duhet të rriten me 50%, ndërsa ato të mesme me 30%. Sa u përket pensioneve, ai kërkoi që asnjë pension në Shqipëri të mos jetë më i ulët se 200 euro.
Gjithashtu, kreu i demokratëve propozoi përgjysmimin e menjëhershëm të të gjitha shpenzimeve operative të administratës publike.
Sipas Berishës, kjo masë nuk do të ndikonte në funksionimin e administratës, por do të ndihmonte në rritjen e transparencës dhe në luftën kundër korrupsionit.
“Rritje me 50 për qind të pagave të ulëta dhe me 30 për qind të pagave të mesme. Asnjë qindarkë për pagat e larta! Pagat e ulëta do të rriten. Asnjë pension në Shqipëri nën 200 euro.
Ky thotë se janë 10 miliardë. A e dini ju sa është fondi i përgjithshëm i pagave? Është rreth 103 miliardë lekë, ose 1 miliard e 300 milionë euro. Rritja e pagave të ulëta me 50 për qind dhe e pagave të mesme me 30 për qind përballohet pa asnjë vështirësi dhe pa pasoja, sepse këta kanë lënë 2.2 miliardë euro për tendera dhe prokurime.
Aty ku këta vjedhin, sipas KLSH-së, 90 për qind të fondit të investimeve. Zhduket.
Këta lënë fonde për investime, i rrisin ato në mënyrën më të pabazuar, ndërsa të tjerët, pensionistët dhe punonjësit me paga të ulëta, i lënë të numërojnë kafshatat.
Rritja e parashikuar e pagave është qesharake. Pagat e ulëta duhet të rriten me 50 për qind, pagat e mesme me 30 për qind dhe asnjë qindarkë për pagat e larta.
Pse? Sepse pagat e larta janë më të lartat në rajon, në një pabarazi të paturpshme. Nëse një pagë mesatare, krahasuar me mesataren e BE-së, arrin vetëm 15-20 për qind të saj, paga e lartë në disa raste shkon deri në 70 për qind të nivelit të pagave në BE. Ato nuk duhet të preken, por të mbeten aty ku janë”, deklaroi Berisha.
