Aktivistë të diasporës shqiptare në Gjermani i janë drejtuar katër grupeve parlamentare në Bundestagun gjerman, ku kanë paraqitur tri kërkesa konkrete në mbështetje të protestave që po zhvillohen në Tiranë dhe të ashtuquajturit “Revolucioni Flamingo”.
Përmes një kërkese zyrtare, aktivistët kërkojnë që parlamenti gjerman të reagojë për zhvillimet në Shqipëri, veçanërisht për mënyrën se si po trajtohen protestuesit dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore.
Kërkesa e parë është që Bundestagu të mbajë një qëndrim publik në mbështetje të së drejtës për protestë paqësore, të dënojë dhunën policore dhe të kërkojë një hetim të pavarur për shkeljet e raportuara gjatë tubimeve në Tiranë.
Së dyti, aktivistët kërkojnë angazhim parlamentar dhe llogaridhënie nga institucionet shqiptare përmes pyetjeve parlamentare dhe përfshirjes së Komisionit për Çështjet Evropiane. Në këtë pikë, ata kërkojnë vëmendje të veçantë për mbrojtjen e të miturve dhe gazetarëve, hetimin e pretendimeve për shkelje, si dhe shqyrtimin e kufizimeve të reja mbi të drejtën e protestës.
Kërkesa e tretë lidhet me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, ku diaspora kërkon që qeveria gjermane të mbajë një qëndrim të qartë politik në nivel evropian dhe të lidhë përparimin e Shqipërisë drejt BE-së me rezultate konkrete në forcimin e shtetit të së drejtës, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe përmbushjen e detyrimeve për mbrojtjen e natyrës.
Në mesazhin e tyre, aktivistët theksojnë se mbështetja për integrimin evropian të Shqipërisë duhet të shoqërohet me standarde demokratike dhe përgjegjësi politike, duke nënvizuar se rruga drejt BE-së nuk mund të shkëputet nga respektimi i lirive dhe funksionimi i shtetit të së drejtës.













