Duke folur në seancën e Kuvendit, Nura ka thënë se kjo çështje nuk prek vetëm individët që po përballen me procesin gjyqësor, por edhe historinë, luftën çlirimtare, dinjitetin dhe shtetin e Kosovës.

Ai ka theksuar se për këtë çështje nevojitet bashkëpunim përtej dallimeve politike dhe ka kërkuar që institucionet e Kosovës të angazhohen më shumë në mbrojtjen e së vërtetës historike të vendit.

“Duhet unitet dhe bashkim institucional, përgjegjësi politike dhe angazhim i mirëfillt diplomatik. Kjo është një çështje që kërkon përkushtim përtej dallimeve politike, sepse mbi të gjitha kemi përgjegjësi ndaj vendit tonë, historisë dhe së vërtetës”, ka deklaruar ai.

Në veçanti, ai ka kërkuar që Ministria e Punëve të Jashtme ta ketë këtë çështje ndër prioritetet kryesore, ndërsa diplomacia e Kosovës, në bashkëpunim me atë të Shqipërisë, të jetë më aktive në informimin e partnerëve ndërkombëtarë.

“Diplomacia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me diplomacinë shqiptare, duhet të jetë shumë më aktive, të shfrytëzojë të gjitha mundësitë diplomatike dhe të punojë vazhdimisht në informimin e partnerëve ndërkombëtarë për rëndësinë dhe ndjeshmërinë e kësaj çështjeje”, ka deklaruar Nura.