Trump, Putin dhe Xi Jinping miratojnë deklaratën e përbashkët në samitin historik. Reformimi i OKB-së, energjia dhe armët bërthamore
Ka përfunduar pas një ore e 20 minutash samiti trepalësh në Shenzhen të Kinës, ku presidenti amerikan Donald Trump, ai rus Vladimir Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping zhvilluan një takim me një agjendë të gjerë diskutimesh, duke përfshirë sigurinë ndërkombëtare, armët bërthamore dhe reformimin e Kombeve të Bashkuara.
Gjatë deklaratave në nisje të takimit, tre liderët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve të tyre. Presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje për shkatërrimin e armëve bërthamore dhe parandalimin e një lufte bërthamore, ndërsa Donald Trump nënvizoi nevojën për të frenuar përhapjen e armëve të till
“Sot po shkruajmë historinë”, deklaroi Trump, duke e cilësuar takimin si një mundësi për afrimin e tre liderëve në interes të gjithë planetit.
Nga ana e tij, Xi Jinping e cilësoi takimin trepalësh si historik, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin theksoi përgjegjësinë e përbashkët të tre vendeve për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Deklarata e përbashkët e tre liderëve
Pas përfundimit të samitit u bë publike edhe deklarata e përbashkët, ku theksohen angazhimet për reformimin e Kombeve të Bashkuara, bashkëpunimin në fushën bërthamore dhe çështje që lidhen me Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
Tre liderët ranë dakord të mbështesin reformimin e OKB-së, në mënyrë që organizata të jetë më efektive përballë sfidave globale dhe të përmbushë misionin e saj themelor për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Një tjetër pikë e deklaratës lidhet me rritjen e prodhimit të produkteve të rafinuara të naftës, në funksion të interesave të të gjitha vendeve, pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare të vendosura ndaj shitjes së naftës ruse.
Në dokument theksohet gjithashtu respektimi i imunitetit të zyrtarëve shtetërorë, ndërsa Gjykatës Penale Ndërkombëtare i bëhet thirrje të mos abuzojë me juridiksionin e saj.
Kjo çështje merr rëndësi të veçantë për shkak të urdhër-arrestit të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare ndaj Vladimir Putinit, lidhur me përgjegjësinë e pretenduar të tij për krime lufte gjatë pushtimit rus të Ukrainës.
Sa i përket armëve bërthamore, tre liderët konfirmuan qëndrimin se një luftë bërthamore nuk duhet të zhvillohet dhe u angazhuan për të vijuar dialogun mbi rreziqet bërthamore dhe përhapjen e këtyre armëve.
Çështja e çarmatimit bërthamor ishte një nga temat kryesore të takimit, pasi Trump kishte theksuar nevojën për denuklearizim si në deklaratën hapëse, ashtu edhe në komentet e tij përpara zhvillimit të samitit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



