Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale ka miratuar nen për nen dhe në tërësi projektbuxhetin e vitit 2027, duke mbështetur edhe kërkesat për fonde shtesë dhe shtim personeli për një sërë institucionesh të pavarura, mes tyre institucionet e drejtësisë, INSTAT-i dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, bëri të ditur se gjatë pesë seancave dëgjimore janë dëgjuar përfaqësuesit e rreth 19 institucioneve të pavarura, të cilët kanë paraqitur nevojat dhe kërkesat e tyre për financim në vitin 2027.
“Në pesë seanca dëgjimore kemi dëgjuar rreth 19 institucione të pavarura për projektbuxhetin e vitit 2027. Në përfundim, me përfaqësuesen e Ministrisë së Financave, zonjën Vilma Çausholli, kemi diskutuar për disa elemente që kërkojnë mbështetje dhe që do të duhet t’ia prezantojmë komisionit përgjegjës për Ekonominë dhe Financat”, deklaroi Xhafaj.
Ai theksoi se shqyrtimi nen për nen do të shoqërohej edhe me paraqitjen e problematikave të evidentuara gjatë dëgjesave nga dy relatorët e komisionit.
Ndër kërkesat e mbështetura është ajo e Këshillit të Lartë Gjyqësor, për të cilin u miratuan 80 milionë lekë për 95 punonjës të rinj. Prej tyre, 45 do të angazhohen për sigurinë në gjykata dhe 50 si personel ndihmës ligjor. Për KLGJ-në u parashikuan gjithashtu nëntë punonjës të tjerë, 100 milionë lekë për shpenzime operative dhe 170 milionë lekë për pajisje sigurie.
Prokurorisë së Përgjithshme iu mbështet kërkesa për shtim personeli, ndërsa për Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë u miratuan 125,5 milionë lekë për sistemin e menaxhimit të çështjeve dhe dokumenteve.
Për Komisionin e Prokurimit Publik u miratua një fond shtesë prej 40 milionë lekësh, nga të cilat 30 milionë lekë për qiranë e godinës ku ushtron aktivitetin institucioni. Gjithashtu, u mbështet shtimi i pesë pozicioneve të reja në strukturën organike, për shkak të rritjes së numrit të ankesave.
Komisioni mbështeti edhe kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për 34 milionë lekë shtesë, të cilat do të përdoren për ambientet e magazinimit, në kuadër të nevojave për organizimin e zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Për Institutin e Statistikave u miratuan 115,9 milionë lekë shtesë për shpenzimet e personelit, pesë punonjës të rinj dhe 60 milionë lekë për serverët. Ndërkohë, për Censin e Bujqësisë u propozua një shtesë prej 70 milionë lekësh, ndërsa fondet prej 500 milionë lekësh të kërkuara për realizimin e tij pritet të shpërndahen gjatë vitit 2027.
Avokatit të Popullit iu miratuan 4,5 milionë lekë shtesë, ndërsa Autoritetit të Konkurrencës iu mbështet kërkesa për pesë vende të reja pune, me një fond prej 10 milionë lekësh.
Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, gjatë shqyrtimit u konstatua se nuk kishte nevojë për shtesa në projektbuxhetin e vitit 2027.













