Gropa financiare në Postën e Durrësit dyshohet se shkon përtej 700 milionë lekëve për të cilat u arrestua fillimisht ish-drejtoresha Elisabeta Mataj, ish-shefja e Financës Valbona Duni dhe ish-arkëtarja e degës së postës Paola Dana.
Në tjetër audit financiar ngre alarmin për një gropë financiare që arrin në 3.6 miliardë lekë, shkruan Syri. Hendekut të postës i shtohen edhe mungesa të lidhura me pagesat e Hipotekës.
Kjo çështje tashmë është dërguar në SPAK për hetim. Vjedhja e lekëve në Postën Shqiptare në Durrës, ka marrë përmasa akoma dhe më të mëdha, qoftë nga zbulimi i shumës financiare qoftë dhe nga fakti se ka zyrtarë të tjerë të përfshirë, ku së fundi ka dalë në skenë dhe emri i deputetes së Partisë Socialiste, për qarkun e Durrësit, Etleva Budini.
Kjo e fundit ka shërbyer si Drejtore e Filialit të Postës Shqiptare në Durrës deri në mars të vitit 2025. Hetimi i kryer nga prokurori Gazmend Frëngu, ka zbuluar prova dhe fakte që ngrenë dyshime të arsyeshme të përfshirjes së deputetes së Edi Ramës në këtë skemë vjedhje.