Italia kryeson turizmin rural në Europë, lë pas Francën dhe Gjermaninë me 7 mijë struktura agroturizmi
Italia renditet në vendin e parë në Europë për ofertën e agroturizmit, duke lënë pas Francën dhe Gjermaninë. Sipas një studimi të publikuar nga Airbnb, vendi fqinj numëron rreth 7 mijë njoftime për struktura agroturizmi në platformë dhe ka gjeneruar 20 milionë euro të ardhura gjatë vitit 2025.
Pas Italisë renditet Franca me 6.200 struktura të listuara dhe Gjermania me rreth 1.200. Të dhënat tregojnë se Europa mbetet qendra kryesore e agroturizmit në nivel global, me mbi 25 mijë struktura aktive në 31 vende dhe 117 milionë euro të ardhura për pritësit gjatë vitit të kaluar.
Studimi evidenton gjithashtu rëndësinë ekonomike të këtij aktiviteti për familjet italiane. Për pritësit në Itali, të ardhurat nga mikpritja në agroturizëm përbëjnë mesatarisht 29% të të ardhurave familjare, pothuajse dyfishi i mesatares globale.
Italia dhe Franca së bashku regjistrojnë afro 13 mijë struktura të listuara dhe më shumë se 47 milionë euro të ardhura, duke përfaqësuar mbi gjysmën e ofertës së agroturizmit në Europë.
Në nivel global, agroturizmi në Airbnb gjeneroi gjatë vitit 2025 rreth 328 milionë dollarë të ardhura për pritësit, nga afro 60 mijë struktura në 151 vende të botës. Sipas parashikimeve të cituara në studim, tregu global i agroturizmit, i vlerësuar në 8.1 miliardë dollarë në vitin 2024, pritet të arrijë në 15.78 miliardë dollarë deri në vitin 2030, i nxitur nga kërkesa në rritje për udhëtime autentike, pushime në natyrë dhe turizëm të ngadaltë.




