Thursday / November 19 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Industria përpunuese në rënie prej vitit 2022, bizneset kërkojnë konsultim për politikat fiskale

Share Share Icon

Në Forumin e Biznesit “E ardhmja e ekonomisë”, organizuar nga revista “Monitor” në kuadër të publikimit të renditjes së 200 kompanive më të mëdha në Shqipëri për vitin 2025, përfaqësues të industrisë përpunuese, një nga sektorët me peshën më të madhe në punësim dhe në ekonominë shqiptare, ngritën shqetësimin se pas vitit 2022, sektori po përballet me një cikël rënieje, ndërsa zhvlerësimi i euros, kostot e larta të prodhimit dhe barrierat rregullatore po vënë në vështirësi konkurrueshmërinë e eksporteve.

Florian Zekja, kryetar i Shoqatës së Manifakturës, pohoi se industria përpunuese ka rol të rëndësishëm në prodhimin e brendshëm bruto dhe është punëdhënësi më i madh në vend për sa i përket industrisë.

Sipas tij, sektori ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në fondin e sigurimeve dhe pensioneve, ndërsa kostot e personelit për bizneset me intensitet të lartë punësimi janë një zë i rëndësishëm i shpenzimeve.

Z. Zekja vuri në dukje se ecuria e industrisë së tekstileve dhe këpucëve ka qenë në rënie pas vitit 2022, kur të dy sektorët arritën pikën më të lartë të aktivitetit.

“Grafikët kanë ecur në një kurbë pak a shumë të njëjtë dhe shihet që nga viti 2022, që ishte viti më i mirë si sektori i këpucëve, po ashtu dhe i tekstileve, ka një rënie”, tha ai, duke ngritur shqetësimin për ecurinë e sektorit në vitet 2025–2026.

Një nga presionet kryesore mbi eksportuesit është zhvlerësimi i euros, i cili ka ndikuar në të ardhurat e kompanive që shesin në tregjet e huaja.

Alban Zusi, drejtues i Qendrës së Eksporteve Shqiptare, solli përvojën e kompanisë së tij, AZ Group, e cila më parë eksportonte 90% të aktivitetit, ndërsa aktualisht eksportet zënë rreth 50%.

Pjesa tjetër e aktivitetit është orientuar drejt tregut vendas, për shkak të ndikimit të kursit të këmbimit.

“Për shkak të zhvlerësimit të euros, kompania ime, e cila ishte 90% eksportuese, aktualisht e ka eksportin në 50% të aktivitetit. Pjesa e mbetur është e fokusuar në shitjen e produkteve në tregun e brendshëm”, pohoi z. Zusi.

Ai tha se me qëllim diversifikimin e prodhimit,  bizneset duhet të orientohen më shumë drejt kërkimit shkencor, financimit dhe gjetjes së njerëzve të kualifikuar, si dhe të mos ndërpresin pjesëmarrjen në panaire për të kuptuar kërkesat e tregjeve. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e analizimit të tregjeve botërore për të identifikuar destinacionet dhe sektorët ku mund të zhvillohen eksportet shqiptare.

 

Bizneset kërkojnë konsultim për ndryshimet fiskale

Në fokus të diskutimeve ishin edhe avantazhi fiskal që ofron Shqipëria në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Valon Kupa, nënkryetar i Shoqatës së Manifakturës, tha se Shqipëria ka avantazhe për të bërë biznes, por problem mbetet mungesa e konsultimit dhe dialogut mes qeverisë dhe sipërmarrjes për ndryshimet fiskale.

Sipas tij, krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, zonat industriale në rajon ofrojnë kushte më favorizuese për bizneset. Z. Kupa paralajmëroi se rritja e tatimit mbi dividendin në 15% mund të dobësojë avantazhin e Shqipërisë për taksimin e ulët, duke krahasuar normën me Kosovën, ku dividendi është 0.

Ai përmendi Maqedoninë e Veriut, ku aplikohet taksimi i sheshtë 10% dhe zonat industriale kanë lehtësi për një periudhë deri në 10 vjet, përfshirë lehtësitë për TVSH-në dhe taksat mbi lëndët e para.

 

Banka Botërore: Kostot shtesë nga masat rregullatore deri në 17% për shërbimet

Përveç kursit të këmbimit dhe kostove të prodhimit, bizneset përballen edhe me kosto që lidhen me rregulloret dhe kërkesat për të operuar në tregjet e huaja.

Angella Faith Montfauco, ekonomiste e lartë e Bankës Botërore për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor, gjatë diskutimit theksoi se Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor kanë akses në tregjet ndërkombëtare dhe përfitojnë nga tarifa preferenciale, por kostot e pajtueshmërisë me rregulloret dhe masat jotarifore krijojnë një barrë të konsiderueshme për bizneset.

Sipas të dhënave të analizës që ajo prezantoi, kostot shtesë nga masat rregullatore për mallrat janë gati 10%, ndërsa për shërbimet arrijnë rreth 17%, duke qenë në disa raste gati pesë herë më të larta se tarifat.

Këto kosto ndikojnë edhe në sektorët e prodhimit, të cilët për të eksportuar kanë nevojë për shërbime transporti, sigurimi dhe logjistike.

 

Banka Shqiptare e Zhvillimit, garanci për eksportet dhe teknologjinë

Banka Shqiptare e Zhvillimit pritet të nisë operimin më 1 janar 2027, me qëllim mbështetjen e bizneseve në procesin e transformimit dhe përgatitjes për tregun e përbashkët europian, përmes mekanizmave të garancisë dhe financimit të investimeve që kanë vështirësi të përthithen nga sistemi bankar tradicional.

Zerina Bruci, drejtuese e çështjeve të korporatës në Bankën Shqiptare të Zhvillimit, tha se institucioni është krijuar për të adresuar boshllëqet e financimit në treg, veçanërisht për investimet që kërkojnë kolateral të konsiderueshëm, afate më të gjata financimi ose kanë profil më të lartë risku.

“Banka Shqiptare e Zhvillimit, ashtu siç edhe ju e thatë, vjen si një përgjigje për të pasur një mekanizëm kombëtar për të mbështetur biznesin në rrugën e tij drejt integrimit europian.

Një transformim i cili patjetër vjen me sfidat e veta dhe me kërkesat e veta. Mandati zhvillimor i bankës është pikërisht mbështetja e sipërmarrjeve për të plotësuar atë boshllëk financiar në tregun financiar”, u shpreh Bruci.

Ajo theksoi se një pjesë e investimeve të nevojshme për transformimin e bizneseve nuk financohen lehtësisht nga bankat tregtare, për shkak të kërkesave për kolateral, afateve të gjata të kthimit apo profilit të riskut.

“Disa prej investimeve të kërkuara për të mbështetur këtë transformim janë investime të cilat kërkojnë terma financues të ndryshëm. Pra, ose kanë një kërkesë për kolateral të cilin bizneset e kanë të vështirë ta përmbushin, ose kanë terma të gjatë, ose për arsye të tjera kanë një profil risku më të lartë, i cili nuk është i financueshëm nga sistemi bankar aktual.

Pikërisht në një situatë të tillë, Banka Shqiptare e Zhvillimit vjen me mekanizma për shpërndarjen e rrezikut ose për garantimin e këtyre bizneseve për t’i bërë ato të financueshme nga sistemi financiar”, tha ajo.

Sipas Brucit, banka nuk do të orientohet drejt sektorëve të caktuar, por drejt nevojave të financimit që kanë bizneset në sektorë të ndryshëm. Veprimtaria do të organizohet në shtatë platforma, duke përfshirë modernizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, tranzicionin e gjelbër, konkurrueshmërinë e eksporteve, zhvillimin rajonal, sipërmarrjen e të rinjve dhe infrastrukturën sociale.

Për modernizimin e ndërmarrjeve, financimi do të përfshijë investime në makineri të reja, automatizim dhe përmirësim të kapaciteteve prodhuese, ndërsa tranzicioni i gjelbër do të përqendrohet te eficienca e energjisë, menaxhimi i ujit dhe mbetjeve.

Një nga platformat kryesore do të jetë mbështetja e konkurrueshmërisë së eksporteve shqiptare, përmes financimit të kapitalit qarkullues dhe certifikimeve të produkteve sipas standardeve ndërkombëtare, veçanërisht atyre të Bashkimit Europian.

Bruci tha se bizneset eksportuese përballen me vështirësi në financimin e kapitalit qarkullues në fillim të aktivitetit të tyre eksportues, ndërsa certifikimet kërkojnë investime në teknologji dhe lëndë të para.

“Synimi është patjetër rritja e bazës së eksporteve dhe rritja e diversifikimit të eksporteve shqiptare, gjithashtu dhe shtimi në vlerën e eksporteve të Shqipërisë.

Këtu kemi dy dritare të ndryshme ose dy dritare të dedikuara për mbështetje. E para ka të bëjë kryesisht me kapitalin qarkullues, pra për t’i vënë në situatë pune ndërmarrjet shqiptare të cilat hasin një problematikë me kapitalin qarkullues në fillim të veprimtarisë së tyre eksportuese, dhe e dyta ka të bëjë patjetër me pjesën e marrjes së licencimeve dhe certifikimeve për produktet shqiptare”, u shpreh ajo.

Sipas saj, certifikimet sipas standardeve të BE-së do të jenë një nga elementet kryesore të kësaj platforme, pasi shpesh kërkojnë investime në teknologji dhe lëndë të para të ndryshme.

Banka do të mbështesë gjithashtu zhvillimin rajonal dhe kohezionin social, me fokus në zona ku financimi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme është më i kufizuar, si agroturizmi dhe agropërpunimi, si dhe sipërmarrjet e reja dhe startup-et që kanë vështirësi në aksesin në financim.

Një tjetër platformë do të jetë infrastruktura sociale dhe zhvillimi gjithëpërfshirës, ku përfshihen edhe investimet në banesa të përballueshme.

 

Korporata Shqiptare e Investimeve, 24 kontrata të financueshme nga bankat dhe projektet për zhvillimin industrial

Elira Kokona, CEO e Korporatës Shqiptare të Investimeve, tha se korporata ka arritur të bëjë të financueshme nga bankat e nivelit të dytë mbi 24 kontrata të lidhura me investitorë nga sektorë të ndryshëm.

“Ne kemi arritur që të gjitha kontratat, kemi sot mbi 24 kontrata të lidhura me investitorë të sektorëve të ndryshëm, të mundësohen të jenë të financueshme tashmë nga bankat tona, nga bankat e nivelit të dytë”, u shpreh Kokona.

Ajo theksoi se kërkimi shkencor dhe zhvillimi janë elemente të rëndësishme për mbështetjen e biznesit dhe orientimin drejt sektorëve me potencial./ D.Azo

 

Lexoni edhe:

Ekonomia shqiptare me rritjen më të ulët në rajon, pa rolin e taksave dhe administratës publike

Biznesi kërkon një model të qartë ekonomik, integrim europian dhe investime në produktivitet

Bizneset shqiptare përballë boshllëkut të sigurimit, tregu gati të kontribuojë në skemë kombëtare

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Bujqësia, vetëm 3.6% e mbështetjes shkon për investime, niveli më i ulët në rajon

Shqipëria jo vetëm që ofron mbështetjen më të ulët në Rajon për bujqësinë, por nga fondet publike vetëm një shumë qesharake shkon për të mbështetur...

1 hour më parë 6 Min Lexim

Raporti: Deri në 75% e marrëdhënieve të eksportit nuk mbijetojnë vitin e parë

Deri në 75% e marrëdhënieve të eksportit të bizneseve shqiptare që vetëm eksportojnë ndërpriten brenda vitit të parë, ndërsa pas shtatë vjetësh vet...

2 hours më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!