Bulqizë/ Shembet masivi shkëmbor, bllokohet rruga Qafë e Bullit–Krastë Prokuroria e Tiranës kërkoi dënimin me 35 vite burgim për Valmir Kolën, nën akuzë për vrasjen me paramendim të Briken Sanajt, i cili u qëllua për vdekje në tetor 2022 në Tiranë, sipas një plani të mirëfilltë të realizuar për hakmarrje.
Siç raporton Anila Hoxha, Prokuroria kërkoi gjithashtu dënimin me 12 vite burgim në total edhe për katër persona të tjerë.
Ata, pas vrasjes në zonën e Kodrës së Diellit, përkrahën autorin duke mos dhënë detaje që do të ndihmonin hetimin. Mes të tjerash, nuk rrëfyen për Prokurorinë mekanizmin se si u shit një makinë.
Prokuroria e Tiranës deklaroi se viktima Briken Sanaj kishte pasur konflikt me vëllain e autorit disa vite më parë.
Ndaj Valmir Kolës ngrihet akuza se kreu një sërë veprimesh për të mos lënë gjurmë, me ardhjen dhe largimin nga Shqipëria. Ai, sipas provave, hyri nga Mali i Zi dhe më pas bleu një mjet tip veturë pa kryer veprime noteriale. Me këtë automjet rezulton se më pas u krye vrasja.
Ndërkohë, gjatë pretencës, për dy të tjerë u kërkua shpallja fajtorë, pasi fshinë kamerat e sigurisë, të cilat tregonin autorin teksa drekonte pas krimit.
Njoftimi i plotë:
Vrasja për hakmarrje tek ‘Kodra e Diellit’, Prokuroria e Tiranës kërkon 35 vite burg për autorin shtetasin V.K.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkon 35 vite burg për shtetasin V.K., për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje me paramendim’ dhe ‘Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit’ parashikuar nga nenet neni 78/2 dhe 278/1 të Kodit Penal me viktimë shtetasin B.S.
Si dhe dënimin me nga 3 dhe 2 vite burg për shtetasit Gj.K. dhe K.A. për veprën penale ‘Moskallëzim krimi’ parashikuara nga neni 300 i Kodit Penal, si dhe dënimin me 5 dhe 2 vite burgim për shtetasit E.H., dhe Z.K., të akuzuar për veprat penale ‘Përkhrahja e autorit të krimit’ dhe ‘Veprime që pengojnë drejtësinë’ parashikuar nga nenet 302 dhe 301 të Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr. 7911 të vitit 2022, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë vlerësoi se shtetasi V.K. ka kryer me paramendim për hakmarrje vrasjen e shtetasit B.S., pasi ka pasur një konflikt me vëllain e tij, shtetasin R.S. vite më parë. Ai kreu një sërë veprimesh për të mos lënë gjurmë me ardhjen dhe largimin nga Shqipëria, duke hyrë e dalë nga Mali i Zi dhe duke blerë mjet tip veturë pa kryer veprime noteriale. Ky shtetas vite më parë ka pasur konflikt me vëllain e viktimës dhe ai dhe familjarët kanë pasur pretendime për plagosjen e familjarit të tyre.
Po kështu, në lidhje me këtë hetim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, kërkoi dëmin e tre dhe dy vite burg për shtetasit Gj.K. dhe K.A. të cilët edhe pse kishin dijeni nuk kallëzuan emrin e personit për të cilin kishin shitur makinën me të cilën u krye vrasja e viktimës, pa kontratë.
Ndërsa kërkesa për dënimin me pesë vite burg u bë për shtetasin E.H., i cili rezultoi se ka pritur në Malin e Zi shtetasin V.K., si dhe ka bërë përcjelljen e tij po nga ky shtet dhe ka siguruar dhomën e hotelit dhe qëndrimin duke përkrahur autorin e krimit. Së fundmi, për shtetasin Z.K., u kërkuan dy vite burgim pasi ka kryer fshirjen e kamerave të sigurisë kur i pandehuri V.K., kanë drekuar dhe kanë kryer blerjen e mjetit.
Top Channel