Më shumë shërbime sociale pranë shtëpisë, kujdes afatgjatë për personat që kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme dhe më shumë përgjegjësi për bashkitë. Këto janë disa nga ndryshimet që parashikon projektligji i ri “Për shërbimet e kujdesit social”, i diskutuar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, me grupet e interesit.

Projektligji synon të përmirësojë cilësinë e shërbimeve dhe të zgjerojë aksesin për fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, viktimat e dhunës dhe trafikimit, si dhe familjet dhe individët në nevojë.

Gjatë diskutimit, Spahiu theksoi se shërbimet duhet të përshtaten me nevojat e qytetarëve dhe jo të jenë qytetarët ata që duhet të kërkojnë vetë mbështetjen që u takon.

“Pra, jo qytetari të shkojë të gjejë shërbimin që i takon, por shërbimi duhet të përshtatet me qytetarin. Kjo është arsyeja pse ne kemi vendosur që në këtë ligj të përfshijmë fillimisht vlerësimin profesional të nevojave, planin individual të mbështetjes dhe menaxhimin e rastit”, u shpreh ministrja.

Një nga ndryshimet që parashikon projektligji është zgjerimi i shërbimeve në familje dhe komunitet, duke u dhënë përparësi alternativave ndaj kujdesit institucional dhe mbështetjes për jetesë të pavarur. Synimi është që qytetarët të marrin shërbimet sa më pranë mjedisit ku jetojnë.

Për herë të parë, projektligji krijon një bazë të qartë për zhvillimin e kujdesit afatgjatë, veçanërisht për personat që kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme. Kjo përfshin edhe mbështetjen për familjet që kujdesen për ta.

Ndryshime parashikohen edhe në mënyrën se si qytetarët do të marrin shërbimet. Në vend që të kërkojnë vetë institucionin ku duhet të drejtohen, nevojat e tyre do të vlerësohen nga profesionistët dhe më pas do të orientohen drejt shërbimit që u përshtatet. Për individët apo familjet që kanë disa nevoja njëkohësisht, institucionet do të koordinohen përmes menaxhimit të rastit, në mënyrë që mbështetja të mos jetë e fragmentuar.

Një rol më të madh do të kenë edhe bashkitë, të cilat do të përgjigjen për identifikimin e nevojave, planifikimin, zhvillimin, financimin dhe garantimin e vazhdimësisë së shërbimeve sociale në territorin e tyre.

Sa i përket financimit, projektligji parashikon forcimin e Fondit Social Qendror dhe krijimin e Fondit Social Vendor. Fondet synohet të shpërndahen në bazë të nevojave të qytetarëve në çdo territor, duke marrë parasysh llojin, standardin dhe koston e shërbimeve.

Projektligji parashikon gjithashtu transformimin e Shërbimit Social Shtetëror në një agjenci të specializuar për çështjet sociale, si dhe forcimin e Regjistrit Elektronik Kombëtar të Shërbimeve të Kujdesit Social, për të përmirësuar informacionin dhe menaxhimin e rasteve.

Ndërkohë, shërbimet sociale do t'u nënshtrohen standardeve më të forta të licencimit, monitorimit dhe inspektimit. Qytetarët do të kenë edhe mekanizma më të qartë për paraqitjen e ankesave dhe vlerësimin e shërbimeve që marrin, tha Spahiu.