Me 6 vota pro dhe asnjë kundër, Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet miratoi projektligjin për donacionet dhe sponsorizimet. Sipas nismës, bizneset që financojnë aktivitete në sport, kulturë dhe art mund të përfitojnë lehtësi fiskale deri në 30 për qind të tatim-fitimit të paguar. Projektligji vendos edhe një tavan kombëtar prej 2 miliardë lekësh në vit për këtë lehtësi. Ministri Blendi Gonxhja tha se mekanizmi parashikohet të nisë në vitin 2027, me efekt në përllogaritjet tatimore të vitit 2028. Bizneset do të mund të mbështesin drejtpërdrejt edhe sportistët dhe artistët që përfaqësojnë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. “Me këtë projektligj bëjmë një kapërcim konceptual, kalojmë nga modeli i bamirësisë së izoluar drejt një partneriteti strategjik ndërmjet shtetit, biznesit dhe shoqërisë, ku krijohet vlerë e përbashkët ekonomike dhe sociale.”