Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP vendosi të enjten më 19 nëntor të pranojë pjesërisht kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD për caktim mase disiplinore ndaj prokurores së Dibrës, Sonila Qerolla. Ndryshe nga ILD që kërkoi uljen e pagës së magjistrates deri në 40 për qind për një periudhë jo më të gjatë se një vit, KLP caktoi ndaj saj masën disiplinore “vërejtje publike”.
ILD konkludoi evidentoi shkelje të prokurores Qerolla në zbatimin e legjislacionit procedural penal, pasi kishte refuzuar t’i përcillte Gjykatës së Apelit informacionin e kërkuar, duke e argumentuar me ruajtjen e sekretit hetimor.
Gjykata e vlerësoi këtë qëndrim të prokurores si zbatim të gabuar të legjislacionit procedural penal, që ndikoi në shqyrtimin e masës së sigurimit dhe kufizoi kështu mundësinë për të shqyrtuar plotësisht ankimin në një çështje që lidhej me të drejtën e individit për liri.
ILD vlerësoi se prokurorja kishte vijuar me të njëjtin qëndrim, pavarësisht njohurive dhe përvojës së saj profesionale. Bazuar në këto rrethana, u vlerësua se kjo sjellje e vullnetshme magjistrates përbën shkelje të rëndë disiplinore, që dëmton imazhin e sistemit të drejtësisë dhe besimin e publikut. Po ashtu, u parashtrua në KLP se rrezikonte krijimin e një precedenti negative dhe për magjistratë të tjerë, duke nxitur përsëritjen e praktikave të papërshtatshme në raste të ngjashme.






