Fermerët ukrainas janë gjendur përballë një situate tejet të vështirë gjatë sezonit të korrjeve dhe eksporteve të këtij viti. Sulmet me raketa dhe dronë nga Rusia kanë paralizuar praktikisht portet e vendit në Detin e Zi, të cilat më parë përpunonin 90 për qind të eksporteve të drithërave, farërave vajore dhe produkteve bujqësore të përpunuara.
Megjithatë, ajo që duket si një katastrofë për Ukrainën mund të përbëjë një mundësi për fqinjët e saj në Detin e Zi, Rumaninë dhe Bullgarinë, të cilat janë shndërruar në furnizues alternativë për blerësit e drithërave në Lindjen e Mesme dhe Azinë Juglindore.
Sipas S&P Global, eksportet e grurit nga porti rumun i Konstancës u rritën me 40 për qind, duke arritur në 3,88 milionë tonë gjatë periudhës korrik-tetor, ndërsa eksportet nga Bullgaria u rritën me 31 për qind, duke arritur në 2,40 milionë tonë gjatë së njëjtës periudhë.
Megjithatë, tashmë edhe Rumania dhe Bullgaria po i ndiejnë pasojat e luftës në Ukrainë. Sipas përllogaritjeve të BIRN, vetëm gjatë muajit tetor, gjashtë anije mallrash u fundosën pas sulmeve me dronë në pjesën perëndimore të Detit të Zi. Si pasojë e këtyre incidenteve, më shumë se 30 anëtarë të ekuipazheve humbën jetën ose rezultojnë ende të zhdukur.
Incidenti më i fundit i këtij lloji ndodhi të hënën, kur anija e mallrave Betul-8 u përmbys rreth 40 milje detare në juglindje të Kepit Kaliakra të Bullgarisë, pas një sulmi të koordinuar me dronë. Anija po udhëtonte nga Rumania drejt Egjiptit, duke transportuar 3,000 tonë grurë të papërpunuar në masë. Këtë herë, fatmirësisht, të gjithë anëtarët e ekuipazhit u shpëtuan.
As Rusia dhe as Ukraina nuk kanë marrë përgjegjësinë për asnjërin prej këtyre sulmeve, megjithëse shumica e politikanëve dhe ekspertëve në Rumani dhe Bullgari fajësojnë Moskën, duke thënë se ajo synon të paralizojë plotësisht trafikun e anijeve të mallrave pranë ujërave ukrainase në Detin e Zi.
“Ndërsa Bullgaria dhe Rumania kanë përfituar nga zhvendosja e eksporteve ukrainase të drithërave drejt porteve të tyre, këto përfitime po neutralizohen gjithnjë e më shumë nga rritja e kostove logjistike dhe përkeqësimi i marzheve të fitimit për prodhuesit vendas bujqësorë”, tha në një intervistë për BIRN Maksym Kharchenko, analist i tregut të drithërave dhe logjistikës pranë kompanisë me seli në Kiev, UkrAgroConsult.
Sipas Kharchenko-s, pas sulmeve të para ndaj anijeve që udhëtonin drejt porteve bullgare dhe rumune, çmimi i mallrave të dorëzuara dhe të ngarkuara në anije në portin e përcaktuar, i njohur si çmimi FOB (Free On Board), u rrit me 14 për qind. Në të njëjtën kohë, çmimet që depot e magazinimit të drithërave në brendësi të territorit u ofrojnë fermerëve ranë me 17 për qind në Rumani dhe me 21 për qind në Bullgari.
“Ky zgjerim i hendekut mes çmimeve tregon se rritja e kostove logjistike dhe të sigurimit të anijeve po ushtron presion të konsiderueshëm mbi çmimet që marrin prodhuesit vendas, pavarësisht aktivitetit relativisht të lartë të eksporteve”, shpjegoi Kharchenko.
Qendra për sigurinë detare
Në kushtet e përshkallëzimit të sulmeve me dronë në pjesën perëndimore të Detit të Zi, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi akordimin e një fondi shtesë prej 10 milionë eurosh për operacionet e kërkim-shpëtimit të autoriteteve bullgare.
Një shumë tjetër prej 50 milionë eurosh do t’i akordohet qendrës së sigurisë detare në Detin e Zi, e cila pritet të drejtohet nga Rumania dhe Bullgaria. Kjo strukturë do të shërbejë si një qendër e përbashkët kontrolli, e krijuar me synimin për të monitoruar në kohë reale aktivitetin detar. “Është e rëndësishme që ajo të vihet në funksionim tani dhe, për këtë arsye, dëshirojmë të kemi afate të qarta për përfundimin e saj”, tha von der Leyen.
Ajo theksoi gjithashtu domosdoshmërinë e “bashkëpunimit më të ngushtë detar” të Bullgarisë dhe Rumanisë me Turqinë.
Përmendja e Turqisë nuk ishte e rastësishme. Gjatë muajve të fundit, Ankaraja i ka bërë vazhdimisht thirrje Rusisë dhe Ukrainës që të ndalin sulmet ndaj anijeve të mallrave në Detin e Zi dhe të përmbahen nga pengimi i tregtisë dhe transportit detar.
Në shtator, ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, deklaroi se Ankaraja u kishte paraqitur propozime si Moskës, ashtu edhe Kievit, lidhur me mënyrën se si mund të garantohej sërish siguria e lundrimit në Detin e Zi. Megjithatë, Fidan nuk bëri të ditura hollësitë e këtyre propozimeve. Duke qenë se sulmet kanë vazhduar dhe madje janë intensifikuar, duket se propozimet janë refuzuar.
Oleh Nivievskyi, profesor i ekonomisë në Shkollën e Ekonomisë të Kievit, mendon se përpjekjet diplomatike të Turqisë nuk kanë gjasa të japin rezultate në këtë fazë të luftës, pasi strategjia e presidentit rus Vladimir Putin ndaj Ukrainës synon dobësimin sa më të madh të ekonomisë së saj.
“Kjo do të realizohet përmes bllokimit të porteve, sulmeve ndaj rrugëve alternative logjistike dhe goditjes së infrastrukturës energjetike dhe të transportit. Të ardhurat nga eksportet janë jetike për ekonominë e Ukrainës dhe kjo e vendos vendin nën një presion të jashtëzakonshëm”, tha ai për BIRN.
Rrugët alternative
Ndërsa portet e Ukrainës në Detin e Zi vijojnë të mbeten të bllokuara, fermerët ukrainas po i drejtohen gjithnjë e më shumë rrugëve alternative të transportit përmes lumit Danub, si dhe linjave hekurudhore dhe rrugore që kalojnë nëpër vendet fqinje të Bashkimit Evropian.
Megjithatë, sipas ministrit ukrainas të Bujqësisë, Taras Vysotskyi, këto rrugë mund të përballojnë vetëm rreth 2,5 milionë tonë mallra në muaj, ndërkohë që Ukrainës i nevojitet të eksportojë më shumë se 5 milionë tonë në muaj.
“Për më tepër, këto rrugë janë dukshëm më të kushtueshme. Kostot shtesë logjistike variojnë nga 50 deri në 70 dollarë për ton, ndërsa në disa raste arrijnë deri në 80 dollarë. Në fund të fundit, këto kosto përballohen nga fermerët ukrainas përmes çmimeve më të ulëta për produktet e tyre”, shkroi Vysotskyi në rrjetet sociale.
Duke operuar në këto kushte, Kievi u ka propozuar partnerëve të tij evropianë disa “zgjidhje praktike”, tha ai.
Së pari, kompensimin e kostove shtesë logjistike. Sipas qeverisë ukrainase, nevojiten 1,1 miliardë euro mbështetje gjatë vitit aktual tregtar.
“Kjo mund të përfshijë mekanizma të ndryshëm, siç është mbështetja për transportin brenda BE-së. Synimi ynë është të ulim kostot logjistike dhe të garantojmë që fermerët ukrainas të marrin çmime që të paktën mbulojnë kostot e tyre të prodhimit”, tha ministri.
Ideja e dytë është thjeshtimi i procedurave tregtare të BE-së. Në veçanti, Ukraina propozon lehtësimin e procedurave administrative për kuotat tarifore për produktet e qumështit dhe miellin.
Pengesat infrastrukturore
Kharchenko i UkrAgroConsult pranon se rritja e transitit të produkteve bujqësore ukrainase përmes Polonisë, Sllovakisë, Hungarisë dhe vendeve të tjera fqinje krijon mundësi shtesë për sektorët e transportit dhe logjistikës në këto vende.
“Në veçanti, kompanitë e transportit hekurudhor dhe rrugor, terminalet e transbordimit dhe operatorët logjistikë pritet të përfitojnë nga rritja e vëllimit të mallrave dhe të të ardhurave. Polonia mund të përfitojë gjithashtu nga dërgesat shtesë të drithërave ukrainase që përpunohen përmes porteve të Detit Baltik”, tha Kharchenko, duke vënë në dukje njëkohësisht se rritja e flukseve të tranzitit ushtron presion shtesë mbi pikat e kalimit kufitar, rrjetet hekurudhore dhe infrastrukturën portuale.
“Një tjetër shqetësim lidhet me pakënaqësinë e fermerëve vendas, të cilët druhen se produktet bujqësore ukrainase mund të hyjnë në tregjet e tyre të brendshme. Megjithatë, duke qenë se Polonia dhe Hungaria vazhdojnë të mbajnë në fuqi kufizimet për importin e kulturave kryesore të drithërave nga Ukraina, ndikimi i drejtpërdrejtë i rritjes së tranzitit mbi çmimet e drithërave në tregjet vendase mbetet i kufizuar”, shtoi Kharchenko.
Vendet fqinje të Ukrainës vendosën një ndalim të plotë të eksporteve të drithërave ukrainase si pasojë e presionit të ushtruar nga fermerët vendas disa vite më parë. Fermerët ukrainas mund t’i shesin drithërat e tyre në vende të tjera të BE-së, por aktualisht Brukseli e kufizon shitjen e grurit në bllok në 1,3 milionë tonë në vit.
Sa i përket presionit mbi pikat e kalimit kufitar, të cilin e përmendi Kharchenko, rritja e eksporteve bujqësore përmes transportit hekurudhor dhe rrugor ka shkaktuar vërtet mbingarkesë të vazhdueshme në kufijtë e Ukrainës me vendet fqinje të BE-së.
Sipas Hekurudhave të Ukrainës, në fund të tetorit, më shumë se 20,000 vagonë mallrash ishin grumbulluar përgjatë linjave që të çojnë drejt kufijve perëndimorë të vendit, ndërsa koha e pritjes në disa prej tyre kalonte 20 ditë. Radhët më të gjata regjistrohen në kufijtë me Poloninë dhe Sllovakinë.
Jakub Olipra, ekonomist i lartë në bankën Credit Agricole Bank Polska, thotë se problemi themelor qëndron te fakti se infrastruktura ekzistuese hekurudhore në të dyja anët e kufirit nuk është e përgatitur për të përballuar vëllime kaq të mëdha të eksporteve bujqësore ukrainase.
Sipas ekspertit, e njëjta situatë u vu re edhe në muajt e parë të pushtimit rus të Ukrainës, në vitin 2022.
“Që atëherë ka ndryshuar relativisht pak. Kapacitetet e pamjaftueshme të transbordimit, ndryshimet në gjerësinë e shinave hekurudhore dhe infrastruktura e kufizuar kufitare vazhdojnë të përbëjnë pengesa madhore, ndërsa sulmet ruse ndaj infrastrukturës hekurudhore të Ukrainës kanë shkaktuar ndërprerje të tjera shtesë”, tha Olipra për BIRN.
Ministria e Infrastrukturës e Polonisë nuk iu përgjigj kërkesës për koment lidhur me kushtet e transportit të mallrave përtej kufirit.
Ndërkohë, kompania shtetërore sllovake e transportit hekurudhor të mallrave, Cargo Slovakia, deklaroi se vëllimi i produkteve bujqësore të transportuara nga kompania gjatë muajve shtator dhe tetor ishte më i larti i regjistruar që nga viti 2023.
Megjithatë, gjatë së njëjtës periudhë, sistemi i furnizimit me energji elektrike për tërheqjen e trenave në nyjën hekurudhore të Zhilinës në Sllovaki po i nënshtrohej procesit të konvertimit.
“Duke qenë se rreth 80 për qind e këtyre dërgesave ushqimore kalojnë përmes kësaj nyje, punimet shkaktuan uljen e kapacitetit të linjave hekurudhore. Për më tepër, pas përfundimit të punimeve të konvertimit, në këtë nyje shpërtheu një zjarr, i cili çoi në kufizimin e operacioneve të transportit hekurudhor të mallrave për dy javë”, tha për BIRN Silvia Kuncova, drejtoreshë e zyrës së drejtorit ekzekutiv të kompanisë.
Ajo shtoi se, pas bllokimit të porteve të Ukrainës në Detin e Zi, ishte rritur edhe vëllimi i mallrave të tjera që transportoheshin përtej kufirit ukrainas-sllovak, jo vetëm i produkteve bujqësore. Kjo, së bashku me faktorë të tjerë, kishte çuar në shfrytëzimin më intensiv të kapacitetit të disponueshëm të rrjetit hekurudhor.
“Në rrethanat e përshkruara më sipër, nuk ishte e mundur të përballohej dhe të transportohej brenda afatit të kërkuar, si dhe në masën e kërkuar, vëllimi jashtëzakonisht i lartë i produkteve bujqësore”, tha Kuncova.
Pasojat zinxhir
Sipas ministrit ukrainas të Bujqësisë, Vysotskyi, kriza aktuale e eksporteve mund t’i lërë fermerët ukrainas pa likuiditetin e nevojshëm për të financuar sezonin e ardhshëm të mbjelljeve.
“Nëse situata mbetet e pandryshuar, deri në 5 milionë hektarë tokë bujqësore mund të rrezikojnë të mbeten pa u mbjellë vitin e ardhshëm”, shkroi ai në muajin tetor.
Në një deklaratë tjetër, më të fundit, ai theksoi se kishte pak shpresë për një përmirësim të shpejtë të situatës me portet e Detit të Zi.
“Ne në ministri po punojmë mbi supozimin se qasja e plotë në portet e Detit të Zi nuk do të rikthehet përpara fillimit të vitit të ardhshëm tregtar, më 1 korrik 2027”, citohet të ketë thënë Vysotskyi për Forbes Ukraine.
Kharchenko i UkrAgroConsult thotë se mungesa e kapitalit qarkullues, veçanërisht te fermat e vogla dhe të mesme, përbën vërtet rrezikun më të madh për sektorin përpara sezonit të ardhshëm bujqësor.
“Mundësitë e kufizuara të eksportit po pengojnë shitjen e të korrave dhe po vonojnë hyrjen e të ardhurave në para, të cilat nevojiten për blerjen e farërave, plehrave dhe karburantit për fushatën e mbjelljeve të pranverës së vitit 2027”, tha ai për BIRN.
Në të njëjtën kohë, shtoi ai, ulja e aktivitetit të eksporteve ka të ngjarë të çojë në një akumulim të konsiderueshëm të rezervave të drithërave, gjë që do të vazhdojë të ushtrojë presion në rënie mbi çmimet e tregut vendas, edhe në fillim të vitit të ardhshëm tregtar.







