Aktualitet

Buxheti 2027 miratohet nen për nen vetëm me votat e PS-së në komisione, 8 institucione kërkojnë fonde dhe staf shtesë

Pas miratimit në parim në Kuvend, projektbuxheti 2027 prej 10 miliard eurosh kaloi edhe njëherë në komisionet parlamentare për t’u votuar nen për nen. Rikthimi është shoqëruar së bashku me shtesat financiare të kërkuara nga disa institucione.

Nga Avokati i Popullit te Prokuroria e Përgjithshme, KLGJ, ILD, KPP, KQZ, Autoriteti i Konkurrencës dhe INSTAT janë disa nga institucionet të cilat kanë kërkuar staf dhe fonde shtesë.

Në komisionin e Nismave Qytetare u miratuan mbi 800 mln lekë shtesë për institucione si Avokati I Popullit +4.5 mln lekë, 246 mln lekë për Instat. Për Këshillin e Lartë Gjyqësor u miratuan 80 milionë lekë për 95 punonjës të rinj, 100 milionë lekë për shpenzime operative dhe 170 milionë lekë për pajisje sigurie. Prokurorisë së Përgjithshme iu miratua shtim i stafit, ndërsa Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë iu shtuan 125.5 milionë lekë për sistemin e menaxhimit të çështjeve dhe dokumenteve.

Edhe në Komisionin për të drejtat e Njeriut u paraqitën kërkesat për shtesë në fonde.

Avokatit të Popullit iu miratuan 4.5 milionë lekë shtesë ndërsa KQZ-së 34 milionë lekë për ambiente magazinimi. Për Komisionin e Prokurimit Publik u miratuan pesë punonjës të rinj dhe 40 milionë lekë për qiranë e ambienteve. Autoritetit të Konkurrencës iu miratuan pesë vende të reja pune, me një fond prej 10 milionë lekësh.

Përfaqësues të Ministrisë së Financave në Komision deklaruan se një pjesë e këtyre kërkesave janë mbuluar ndërsa do të rishihen edhe njëherë nëse mund të konfirmohen në bazë të tavaneve buxhetore.

Në çdo komision buxheti u miratua nen për nen vetëm me votat pro të mazhorancës pa ndryshime teksa opozita votoi kundër apo bojkotoi komisionet si në komisionin e Evropës, atë të sigurisë tek Burimet Natyrore dhe Shëndetësia.

Kërkesat e pranuara për shtesë buxheti do të marrin aprovimin më tej në Komisionin përgjegjës të Ekonomisë dhe do të miratohen përfundimisht më 26 nëntor në seancë plenare. Rreth 976 mld lekë shpenzime ka parashikuar projektbuxheti për vitin 2027 ndërsa të ardhurat e pritshme për t’u mbledhur nga tatimet dhe taksat arrijnë në 907 miliardë lekë.

 

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.