Shtëpia e Bardhë ka reaguar ashpër ndaj raportimeve mediatike që pretendojnë se Presidenti amerikan Donald Trump është filmuar duke fjetur gjatë samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), në Kinë, ndërsa Presidenti kinez Xi Jinping po mbante një fjalim.

Drejtori i Komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, Stephen Chang, i hodhi poshtë këto pretendime përmes një postimi në rrjetin social X, duke këmbëngulur se Trump nuk po flinte, por po lexonte dokumentet që kishte përpara. “Lajm i rremë! Presidenti Trump po shikonte dokumentet para tij ndërsa folësi po bënte deklaratat e tij. Mund t’i shihni qartë sytë e tij duke lëvizur para dhe mbrapa”, shkroi Chang.

Ai vijoi me kritika të forta ndaj mediave, duke i akuzuar për përhapjen e informacioneve të pavërteta. “Kjo është arsyeja pse njerëzit e urrejnë kaq shumë median. Ata gënjejnë gjatë gjithë kohës”, deklaroi zyrtari amerikan. Pamjet që shkaktuan reagimet u regjistruan gjatë fjalimit të Xi Jinping në samitin e APEC-ut në Shenzhen, ku presidenti kinez po prezantonte vizionin e Pekinit për të ardhmen e rajonit Azi-Paqësor.

Sipas raportimit të gazetës South China Morning Post, kamerat filmuan disa prej liderëve të pranishëm në sallë. Presidenti rus Vladimir Putin dukej se po ndiqte fjalimin, ndërsa kryeministri kanadez Mark Carney dhe kreu i administratës së Hong Kongut, John Lee, mbanin shënime. Ndërkohë, kryeministrja japoneze Sanae Takaichi u pa duke buzëqeshur në disa momente. Vëmendja e kamerave u përqendrua më pas te Donald Trump, i cili për disa sekonda u shfaq me kokën e ulur dhe sytë e mbyllur. Pamjet u transmetuan edhe në ekranet gjigante të sallës, duke nxitur reagime dhe komente në rrjetet sociale.

Nuk është hera e parë që Trump përballet me pretendime të tilla. Presidenti amerikan i ka mohuar më parë akuzat se bie në gjumë gjatë takimeve publike, duke argumentuar se në momentet kur fotografohet me sytë mbyllur, thjesht po pushon sytë ose po i mbyll qepallat.

“Është shumë relaksuese për mua”, është shprehur ai më herët, duke shtuar se kamerat shpesh kapin pikërisht momentin kur sytë e tij janë të mbyllur. Pamjet kanë rikthyer në vëmendje diskutimet mbi gjendjen fizike të presidentit amerikan, i cili, sipas raportimit, kishte zhvilluar një axhendë të ngjeshur me takime dhe angazhime diplomatike gjatë tri ditëve të fundit. Megjithatë, videoja e publikuar nuk provon në vetvete se Trump ishte në gjumë, ndërsa Shtëpia e Bardhë këmbëngul se ai po lexonte dokumentet gjatë fjalimit të presidentit kinez.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb