Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e Briken Sanajt më 30 tetor 2022, prokuroria kërkon 35 vite burg për Vladimir Kolën


Majtas Briken Sanaj, djathtas Vladimir Kola

35 vite burg ka kërkuar prokuroria për Vladimir Kolën, i akuzuar për vrasjen e Briken Sanajt te Kodra e Diellit në Tiranë, ngjarje e ndodhur më 30 tetor 2022.

3 vite burg janë kërkuar për Gjelosh Krasniqin dhe 2 për Kened Antonin, me dy të fundit që akuzohen se kanë përkrahur Kolën.

Sanaj u qëllua pasi kishte lënë familjen ndërsa dyshohet se autori e qëlloi viktimën pasi i vëllai i Sanajt, Renato Sanaj kishte plagosur me armë zjarri vëllain e autorit Gentian Kola 10 vite më parë.

Njoftimi

“Vrasja për hakmarrje tek ‘Kodra e Diellit’, Prokuroria e Tiranës kërkon 35 vite burg për autorin shtetasin V.K.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkon 35 vite burg për shtetasin V.K., për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje me paramendim’ dhe ‘Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit’ parashikuar nga nenet neni 78/2 dhe 278/1 të Kodit Penal me viktimë shtetasin B.S.

Si dhe dënimin me nga 3 dhe 2 vite burg për shtetasit Gj.K. dhe K.A. për veprën penale ‘Moskallëzim krimi’ parashikuara nga neni 300 i Kodit Penal, si dhe dënimin me 5 dhe 2 vite burgim për shtetasit E.H., dhe Z.K., të akuzuar për veprat penale ‘Përkhrahja e autorit të krimit’ dhe ‘Veprime që pengojnë drejtësinë’ parashikuar nga nenet 302 dhe 301 të Kodit Penal.

Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr. 7911 të vitit 2022, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë vlerësoi se shtetasi V.K. ka kryer me paramendim për hakmarrje vrasjen e shtetasit B.S., pasi ka pasur një konflikt me vëllain e tij, shtetasin R.S. vite më parë. Ai kreu një sërë veprimesh për të mos lënë gjurmë me ardhjen dhe largimin nga Shqipëria, duke hyrë e dalë nga Mali i Zi dhe duke blerë mjet tip veturë pa kryer veprime noteriale. Ky shtetas vite më parë ka pasur konflikt me vëllain e viktimës dhe ai dhe familjarët kanë pasur pretendime për plagosjen e familjarit të tyre.

Po kështu, në lidhje me këtë hetim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, kërkoi dëmin e tre dhe dy vite burg për shtetasit Gj.K. dhe K.A. të cilët edhe pse kishin dijeni nuk kallëzuan emrin e personit për të cilin kishin shitur makinën me të cilën u krye vrasja e viktimës, pa kontratë.

Ndërsa kërkesa për dënimin me pesë vite burg u bë për shtetasin E.H., i cili rezultoi se ka pritur në Malin e Zi shtetasin V.K., si dhe ka bërë përcjelljen e tij po nga ky shtet dhe ka siguruar dhomën e hotelit dhe qëndrimin duke përkrahur autorin e krimit. Së fundmi, për shtetasin Z.K., u kërkuan dy vite burgim pasi ka kryer fshirjen e kamerave të sigurisë kur i pandehuri V.K., kanë drekuar dhe kanë kryer blerjen e mjetit.”