TIRANË- Mbi 12 kilogramë kanabis në trajtë xhelatine sekuestroi policia në një makinë ndërsa lëvizte në aksin Tiranë-Elbasan në orët e para të mëngjesit. Droga me pako ishte e fshehur brenda një valixheje në bagazhin e makinës. Blutë i bënë shenjë ndalimi, por drejtuesi u largua me shpejtësi dhe e braktisi makinën, një Audi Luksoz.
Valixhet ku ishte fshehur droga
Policia thotë se identifikoi dhe shpalli në kërkim 22-vjeçarin që transportonte kanabisin, Flavio Ismalaj nga Paskuqan. Një bashkëpunëtor i tij, Mariglen Vata i cili kontrollonte itineratin e lëvizjes së automjetit me drogë, u arrestua. Edhe ai 22 vjeç, mbante në banesë sasi kokaine.
"Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të siguruar në vijim të punës operative intensive, për një rast të transportimit të lëndës narkotike Cannabis Sativa, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve finalizuan operacionin e koduar “Risia”, në kuadër të të cilit shpallën në kërkim shtetasin F. I., 22 vjeç, dhe arrestuan në flagrancë bashkëmoshatarin e tij, shtetasin M. V., të dy banues në Paskuqan.
Në orët e para të mëngjesit të datës 19.11.2026, i është bërë shenjë ndalimi automjetit që drejtonte shtetasi F. I., i cili nuk është bindur, ka vijuar lëvizjen me shpejtësi, ka braktisur automjetin në autostradën “Tiranë-Elbasan” dhe është larguar.
Gjatë ndjekjes, shërbimet e Policisë konstatuan se lëvizjet e këtij automjeti, monitoroheshin dhe siguroheshin nga automjeti me drejtues shtetasin M. V., i cili u kap dhe u vu në pranga.
Nga kontrolli në automjetin që braktisi shtetasi F. I. u gjetën 12.1 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, në trajtë xhelatinoze, ndërsa nga kontrolli në banesën e të arrestuarit u gjet sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë.
Lëndët narkotike u sekuestruan bashkë me 2 automjetet dhe 3 celularë. Punohet për kapjen e shtetasit F. I., si dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimi për të identitifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast", njoftoi Policia.
4 vite më parë, në gusht të vitit 2022, Mariglen Vata, në atë kohë 18 vjeç, ishte arrestuar si porositës i kanabisit me postë nga Britania e Madhe.
Audi luksoz me të cilin lëviznin të rinjtë
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë










Komente
Komento