Është ende herët për të folur për rinovimin e kontratës së Hakan Calhanoglu me Interin. Mesfushori turk iu jep përparësi zikaltërve, ku ndihet shumë mirë dhe përfiton 6.5 milionë euro në sezon. Megjithatë, në moshën 33-vjeçare, që do t’i mbushë më 8 shkurt, nuk dëshiron të pranojë ulje të ndjeshme të pagës.
Oferta e Interit – Bisedimet paraprake kanë nisur, por ende nuk ka një ofertë konkrete. Interi po mendon t’i propozojë 5 milionë euro në sezon, plus bonuse të lidhura me paraqitjet individuale dhe rezultatet e skuadrës, me mundësinë që përfitimet të arrijnë në 6.5 milionë euro.
Katër alternativa – Nëse palët nuk gjejnë marrëveshjen, për shkak edhe të politikës së Interit për uljen e pagave të lojtarëve mbi 30 vjeç, në garë janë Galatasaray, Juventus, Como dhe Tottenham.
Galatasaray mund t’i ofrojë një pagë të konsiderueshme, ndërsa Juventusi e sheh si një përforcim të mundshëm në stilin e operacionit të Andrea Pirlos, pa nënkuptuar krahasim të drejtpërdrejtë mes tyre. Megjithatë, prioriteti i Calhanoglu mbetet Interi.







