Bota

Grevë e përgjithshme në Itali, në rrezik transporti hekurudhor, shkollat e shëndetësia…

Italia pritet të përballet me një ditë të vështirë të premten, më 20 nëntor 2026, për shkak të një greve të përgjithshme që do të prekë sektorin publik dhe atë privat. Protesta sindikale pritet të sjellë ndërprerje dhe vonesa në arsim, shëndetësi, administratë publike dhe shërbime të tjera.

Greva është thirrur nga Konfederata e Përgjithshme Italiane e Punës (CGIL), e cila do të organizojë protesta në 100 qytete të vendit me sloganin “E ardhmja është tani”. Në mobilizim do të marrin pjesë edhe disa organizata të tjera sindikale.

CGIL ka konfirmuar zhvillimin e grevës, duke theksuar se do të garantohen shërbimet thelbësore. Në qendër të protestës është rritja e kostos së jetesës dhe, sipas sindikatës, mungesa e masave të efektshme nga qeveria për të përballuar këtë situatë.

Sindikatat kërkojnë rritje të pagave dhe rinovim të kontratave të punës për të kompensuar inflacionin, pensione dinjitoze, një sistem më të drejtë taksash, si dhe më shumë investime në shëndetësi, arsim dhe shërbime sociale.

Gjithashtu, kërkohet mbrojtja e vendeve të punës, lufta kundër pasigurisë në punësimin e të rinjve, përmirësimi i sigurisë në vendet e punës dhe garantimi i të drejtës për arsim dhe strehim.

Një nga sektorët që pritet të preket është arsimi. Greva do të përfshijë personelin e institucioneve arsimore të të gjitha niveleve, universitetet dhe institucionet kërkimore. Në varësi të pjesëmarrjes së punonjësve në protestë, mund të ketë ndryshime në oraret mësimore, pezullim të orëve të mësimit dhe vështirësi në organizimin e shërbimeve shkollore.

Edhe transporti hekurudhor pritet të përballet me probleme. Grupi Ferrovie dello Stato ka njoftuar se, për shkak të grevës së shpallur nga sindikatat autonome SGB dhe CUB Trasporti, mund të ketë anulime dhe vonesa të trenave nga ora 21:00 e së premtes, 20 nëntor, deri në orën 20:00 të së shtunës, 21 nëntor 2026.

Greva mund të prekë punonjësit e Grupit FS, Trenitalia, Trenitalia Tper dhe Trenord. Për trenat rajonalë do të garantohen shërbimet thelbësore në oraret e përcaktuara për ditët e punës, nga ora 06:00 deri në 09:00 dhe nga ora 18:00 deri në 21:00.

Autoritetet paralajmërojnë se ndryshime në shërbim mund të ketë edhe përpara nisjes zyrtare të grevës dhe pas përfundimit të saj. Pasagjerëve u rekomandohet të kontrollojnë paraprakisht oraret dhe listat e trenave të garantuar në faqet zyrtare të kompanive hekurudhore.

Përveç CGIL, më 20 nëntor është shpallur një tjetër grevë e përgjithshme nga konfederata sindikale Cobas, së bashku me organizatat Clap dhe Sial. Kjo protestë do të përfshijë gjatë gjithë ditës sektorët publikë dhe privatë, me përjashtim të transportit.

Kërkesat e këtyre sindikatave lidhen gjithashtu me rritjen e kostos së jetesës, rikthimin e fuqisë blerëse të pagave dhe pensioneve, vendosjen me ligj të një page minimale dhe shkurtimin e përgjithshëm të orarit të punës.

Ndërkohë, e premtja do të shënojë edhe Ditën Ndërkombëtare të Mobilizimit të Studentëve, duke shtuar aktivitetet protestuese në qytetet italiane.

 

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.