Skandal / Apeli liron nga burgu Vinçesk Pirolin që po planifikonte të kryente një atentat në Lezhë, dyshime se u paguan 200 mijë euro. Presion porositësit se do të flasë?

Kryesore

Publikuar: 19/11/2026

Skandal / Apeli liron nga burgu Vinçesk Pirolin që po planifikonte të kryente një atentat në Lezhë, dyshime se u paguan 200 mijë euro. Presion porositësit se do të flasë?

Tjetër skandal në drejtësi. Megaoperacioni i Policisë së Lezhës parandaloi një vrasje të planifikuar në Lezhë, ka marrë një goditje nga Gjykata e Apelit. Një prej tre të arrestuarve, Vinçesk Piroli, është liruar nga qelia në rrethana të dyshimta dhe kalon në arrest shtëpie pas vendimit të Apelit.

Vetëm 38 ditë pas arrestimit në kuadër të operacionit policor “Detajet”, Gjykata e Apelit ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë për Vinçesk Pirolin, duke e nxjerrë nga qelia dhe duke e lënë në arrest shtëpie. Disa burime jo zyrtare theksuan se ka dyshime të forta se janë paguar 200 mijë euro për të liruar Pirolin. Po sipas burimeve dyshohet se Piroli ka ushtruar presion ndaj porositësit se do të flasë, duke e detyruar të angazhohet për ta liruar nga burgu.

Lirimi nga qelia i Pirolit është i dyshimtë edhe për shkak të profilit dhe të shkuarës së tij kriminale. 38-vjeçari nuk është një emër i panjohur për drejtësinë, pasi ka qenë i plagosur më parë në Shkodër dhe i përfshirë në një tjetër ngjarje në Kurbin. Mbetet për t’u parë arsyetimi i këtij vendimi, i cili i ka dhënë një goditje operacionit të bujshëm policor për parandalimin e vrasjes së një personazhi të njohur në Lezhë.

Piroli u arrestua më 11 tetor, së bashku me Kristian Ymerin, 34 vjeç, dhe Elden Tarjan, 25 vjeç, pasi dyshohej se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin planifikuar të kryenin një vrasje në zonën e Lezhës.

Operacioni i Policisë, i koduar “Detajet”, u finalizua pas informacioneve për lëvizje të dyshimta të dy personave të armatosur dhe me skafandra, të cilët udhëtonin me një motomjet në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë”.

Sipas dyshimeve të grupit hetimor, dy personat do të kryenin ekzekutimin, ndërsa personi i tretë do t’i ndihmonte të largoheshin me automjet nga zona pas kryerjes së krimit.

Burime policore bëjnë me dije se në motomjetin që dyshohet se do të përdorej për atentatin, Kristian Ymeri ishte drejtuesi, ndërsa Vinçesk Piroli udhëtonte si pasagjer. Ky i fundit dyshohej se do të ishte personi që do të qëllonte ndaj objektivit.

Policia ndërhyri pas sinjalizimit dhe, pas kontrolleve në zonë, arriti të ndalojë automjetin tip “Volkswagen” në aksin Gjadër-Barbullush, ku ndodheshin tre të dyshuarit.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan tri pistoleta me krehra dhe fishekë, municion luftarak, si dhe automjeti dhe motomjeti i përdorur në këtë rast. Nga verifikimet rezultoi se motomjeti ishte i vjedhur në Suedi.

Por, ndërsa ndërhyrja policore u prezantua si një operacion që parandaloi një ngjarje të rëndë kriminale, 19 nëntori shënon një zhvillim të ri në këtë dosje: Apeli vendos që Vinçesk Piroli të mos qëndrojë më në burg, por të vijojë qëndrimin në arrest shtëpie.

Vendimi vjen vetëm 38 ditë pas arrestimit të tij, ndërsa hetimet për rastin vijojnë.

Nëse zgjedhjet e 9 Majit do të ishin këtë të dielë, cilin do të votonit për Bashkinë e Tiranës

Sondazhi është joaktiv.